Deputeti socialist Fatmir Xhafaj vlerësoi se SPAK është në rrugën e duhur në përmbushje të misionit të tij. Ai e ftoi Dumanin që t’i kushtohet më shumë vëmendje çështjeve prioritare për të cilat shqiptarë duan drejtësi.
“Unë e vlerësoj pozitivisht punën tuaj gjatë vitit 2022. Impakti juaj në institucionet ligjzbatuese është i dukshëm. Vlerësoj faktin që ky institucion mbetet ndër më të besueshmit në të gjithë piramidën e institucioneve. Është fakt që institucionet ndërkombëtarë kanë ndryshuar qëndrim për Shqipërinë edhe nga puna e këtij institucioni. Është intensifikuar puna dhe është luftuar krimi dhe korrupsioni. Një sërë treguesish janë pozitivë dhe e mbështes fort këtë raport. Të rriten hetimet prioritare. Të shohim më shumë hetime pro aktive për çështje me ndjeshmëri publike. Çështje që mbajnë ende peng besimin e publikut dhe shpresën e qytetarëve për qeverisje të mirë. Për këtë është krijuar SPAK. Jeni në këtë rrugë për mendimin tim por jeni ende në hapat e parë. Ka një postulat që ‘drejtësia është e mirë që të bëhet por po aq e rëndësishme është që ajo të besohet si e tillë nga qytetarët’. E dyta është pavarësia, që ju e keni të detyruar nga Kushtetua dhe ligji. Ju duhet të bëni patjetër vlerësimin e punës individuale dhe llogaridhënien e çdo prokurori. Ju duhet të përmirësoni edhe komunikimin me qytetarët. Jo për çështje, por për atë që çfarë ju përfaqësoni, apo për atë që çfarë nga ju pritet”, tha deputeti Fatmir Xhafaj.
Deputeti socialist u shpreh se këto 2-3 vite që vijnë janë vendimtare dhe “simbolikisht do t’i quajta si ‘prova e zjarrit’ për ju”: “Disa njerëz peng të mëkatit kundër tyre tentojnë t’ju rrethojnë ju dhe drejtësinë e re,. (individë që mbeten kundërshtarë të reformash, me thika në gojë dhe shishe benzine për ta djegur këtë reformë. Nëse ju nuk tregoni rezultate konkrete do të keni të vështirë. Duhet të jepni shembullin e fortë. Besoj te ju personalisht për atë që përfaqësoni në këtë profesion.”