Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku ka akuzuar qeverinë se nuk po vë në zbatim vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shkrirjen e Bordit të Transparencës dhe atij të Ushqimeve.
Përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’ Tabaku është shprehur se moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, po cënon rëndë interesat e qytetarëve dhe të shtetit, duke shkaktuar një dëm që përllogaritet deri në 600 milionë euro.
“Gjykata kushtetuese ka vendosur që Bordi i Ushqimeve dhe Bordi i Karburanteve përveçse antikushtetuese i kanë kryer funksionet e tyre në kohë.Në shkelje të plotë të konkurrencës, me një rast të pashembullt në botë, bizneset e mëdha u ulën në tryezë me qeverinë e përcaktuan çmimet në dëm të xhepit të qytetarëve! Nga kjo shkelje e kushtetutës të paktën 600 mln Euro u paguan shtesë nga qytetarët në arkën e bizneseve që uleshin në tavolinë për të vendosur çmimin.
Bordi i Ushqimeve ndonëse ligjërisht ende i pashkrirë de facto nuk po mblidhet më. Ndërkohë që Bordi i Karburanteve vazhdon avazin e vjetër duke vendosur çmime në kurriz të shqiptarëve për naftën.E gjitha kjo kur ka një vendim të GJK që flet qartë, kur jemi përballë një situate që nuk është më emergjente dhe kur çmimet e naftës dhe gazit në tregun ndërkombëtar janë stabilizuar”, ka shkruar deputetja.
Teksa ka theksuar se vendimi i gjykatës Kushtetuese është i qartë dhe në mbrojtje të xhepave të shqiptarëve që paguajnë më shtrenjtë naftën, ajo tha se nuk ka asnjë arsye logjike dhe ligjore që bordi i oligarkëve të jetë në fuqi.