Sot Tirana është përfshirë nga shiu i rrëmbyeshëm, shoqëruar edhe me vetëtima. Edhe këtë fundjavë do të na shoqërojë mot i paqëndrueshëm, me paradite të ngrohta me diell e temperatura 27-28 gradë celcius dhe pasdite me rreshje shiu. Për “Top Channel”, sinoptikania Lajda Porja është shprehur se e njëjta situatë e motit do të vijojë për disa ditë edhe në javën tjetër. Ajo ka thënë se reshjet do të jenë prezente në vend, ndonëse mbizotëruese do të jenë edhe temperaturat e larta.
Si parashikohet fundjava
Fundjava pritet të jetë në ndikim të kushteve atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet të nisë me kthjellime dhe prej mesdite zhvillim të vranësirave. Në orët e mesditës deri pasdite, vranësirat do të pasohen nga reshje shiu të cilat hera-herës do të jenë edhe në formën e shtrëngatave afatshkurtëra. Era do të fryjë me drejtim nga veriperëndimi me shpejtësi mesatare 1-8m/s, shoqëruar me valëzim në dete të forcës 1 ballë.