Kancelari paralajmëron Rusinë, por nuk përjashton një kontakt të ri me Putinin. Kancelari takohet me krerët e Shteteve Baltike. Kancelari gjerman Olaf Scholz ka paralajmëruar Rusinë që të mos fokusohet në ngrirjen e luftës kundër Ukrainës përgjatë territorit të pushtuar deri tani.
Kancelari gjerman nuk specifikoi nëse kjo vlen edhe për gadishullin e Krimesë, i cili është pushtuar nga Rusia që nga viti 2014. I pyetur për këtë, ai thjesht përsëriti fjalët: “Tërheqja e trupave”, para se të shtonte: “Nuk na takon neve të formulojmë në vend të Ukrainës marrëveshjet që ajo dëshiron të bëjë”. Scholz përdori termin më të paqartë “tërheqje trupash” dhe jo “tërheqje e trupave”, që mund të kuptohej si: tërheqje e të gjitha trupave.
Scholz gjithashtu shmangu përgjigjen për pyetjen nëse duhet të rrëzohet presidenti rus Vladimir Putin. “Unë nuk besoj në këto lloj pyetjesh spekulative. Në fund, do të duhet të ketë një marrëveshje midis qeverive të Moskës dhe Kievit,” tha kancelari. Biseda e tij e fundit telefonike me kreun e Kremlinit ka disa kohë që është bërë, tha ai. “Por unë synoj të flas përsëri me Putinin në kohën e duhur.”
Kancelari takohet me krerët e Shteteve Baltike
Kancelari gjerman Olaf Scholz ka udhëtuar këtë premte në Estoni, e cila, ashtu si Letonia dhe Lituania, kufizohet me territorin rus. Një takim dypalësh mes Scholz dhe kryeministres Kaja Kallas është planifikuar në Talin, kryeqyteti i Estonisë. Më pas, kancelari planifikon të marrë pjesë në një takim të Shteteve Baltike, në të cilin do të takohet edhe me presidentin lituanez Gitanas Nauseda dhe kryeministrin letonez Krisjanis Karins.
Krahasuar me fuqinë e tyre ekonomike, Shtetet Baltike janë ndër mbështetësit më të mëdhenj të Ukrainës së sulmuar. Gjatë takimit në kryeqytetin estonez Talin, pritet të bëhet fjalë, përveç ndihmës shtesë për Kievin, për përforcimin ushtarak të krahut lindor të NATO-s për t’u mbrojtur nga një kërcënim rus. Pasojat e luftës në Ukrainë në politikën e sigurisë pritet të jenë një temë qendrore. Gjermania merr pjesë së bashku me anëtarët e tjerë të NATO-s në mbrojtjen ushtarake të vendeve baltike, të cilat ndjehen të kërcënuara nga Rusia. Ushtarët e Bundeswehr-it janë stacionuar në Lituani për këtë qëllim./dw