Televizioni kombëtar grek ERT ka risjellë në vëmendje trafikun e drogës me mjete lundruese nga Shqipëria në Turqi dhe nga Maroku në Spanjë.
Ka qenë kreu i Drejtorisë së Antidrogës së Athinës, Spyros Tsardakas, i cili ka folur për rrugët detare të trafikut.
“Po flasim për skafistë që i gjejmë vetëm në garat e skafeve. Këto skafe janë shumë të shpejta, flasim për 60-70 milje më e pakta e shpejtësisë së tyre, vlera e të cilave i kalon 400.000 euro. Nisin nga Shqipëria, mbërrijnë në buzë të Peloponezit, ku mbushen me karburant. Më pas arrijnë në brigjet e Turqisë, dorëzojnë kanabisin, i cili aty ka vlerë më të shtrenjtë, e shkëmbejnë kryesisht me heroinë dhe kthehen pas” – tha ai.
Siç shprehet Tsardakas, këta skafistë preferohen nga grupet kriminale në Greqi, Itali por edhe në Spanjë: “Kemi evidentuar shqiptarë, të cilët ne i kishim objektiv për veprimtarinë e tyre kriminale dhe që në vazhdim kanë vepruar në zonën e Spanjës”.
Koha më e përshtatshme e veprimtarisë së gomoneve me drogë, sipas reportazhit, është ajo kur deti është 6-7 ballë me qëllim që ato mos të kapen nga autoritetet.