Bregdeti i Shëngjinit tashmë është në përgatitjet e fundit për hapjen e sezonit të ri turistik. Kune Vaini ose siç njihet ndryshe edhe një nga perlat e Shëngjinit, mbetet një nga më të frekuentuarat nga të huajt.
Gërshetimi i natyrës me bregdetin bën që vizitoret ta shijojnë më tepër këtë zonë të Shëngjinit, gjithashtu për ta shfrytëzuar edhe për kamping.
“Unë jam nga Gjermania, vij për herë të parë. Kemi ardhur në Shëngjin prej 3 javësh dhe do të qëndrojmë dhe 2 javë të tjera. Gjiri i bregdetit është shumë i bukur, dhe ushqimi është shumë i mirë. Kam dëgjuar për Shqipërinë që ka natyrë të bukur, për parqe natyrore, hiking dhe vendosem të vini. Na pëlqen shume natyra dhe njerëzit janë shumë të mirë dhe të dashur me ne, na kanë bërë shumë dhurata njerëzit që kemi takuar. Ushqimi që me pëlqeu me shumë është fërgesa”, tha turistja.
“Edhe unë vij nga Gjermania, dhe mua më pëlqen natyra, këtu plazhi është shumë i mirë, plazh i qetë i lidhur me natyrën. Shume njerëz më kanë folur për vendin tuaj, sepse është shume bukur, njerëzit janë shumë mendje hapur. Edhe mua më pëlqen fërgesa, dhe peshku i freskët po ashtu është shumë i mirë. Sigurisht që do ta vizitoj sërish”, tha turisti.
“Unë vij nga Anglia, jam për herë të parë këtu. Është shumë bukur, kemi ardhur të relaksohemi në bregdet, është një zonë e mrekullueshme, njerëzit janë shumë të dashur. E kam parë Shqipërinë në Instagram, pashë zona të mrekullueshme ndaj dhe erdha. Bregdeti është fantastik, i lidhur shumë bukur me natyrën. Ushqimi i preferuar nga Shqipëria është byreku me gjize”, tha turistja.
I rrethuar nga pishat shumë vjeçare ky bregdet ka tërhequr vëmendjen e shumë turistëve të huaj. Mungesa e ambienteve akomoduese nuk i ka penguar aspak pushuesit të zgjedhin plazhin e Kunës, kryesisht për pushim ditor, por ka dhe turistë të huaj me rulot të cilët e zgjedhin këtë plazh për qetësinë dhe bukurinë që ofron.