BE kthen mbrapsht domaten shqiptare? AKU: E pavërtetë, produktet kanë certifikatë

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka hedhur poshtë lajmet që kanë qarkulluar në media, se Bashkimi Europian ka kthyer mbrapsht domatet e prodhuara në Shqipëri me arsyetimin se nuk përmbushin parametrat e sigurisë.

Me anë të një reagimi, AKU garanton konsumatorin shqitar se shëndeti i tyre nuk është i rrezikuar. Ndër të tjera Autoriteti Kombëtar i Ushqimit thekson se verifikon kthimet e produkteve shqiptare të eksportuara në vendet e BE-së nëpërmjet njoftimeve të menjëhershme që vijnë nga sistemi RASFF (Sistemi i BE i Njoftimit të Menjëhershëm për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë).

Gjatë vitit 2023 nuk ka patur asnjë kthim të domateve me origjinë Shqipërinë, e destinacion BE-në. Vendi ynë vijon të eksportojë produkte fruta-perime, mes tyre edhe domate lirisht me destinacion vendet e Bashkimit Europian, në përputhje me kërkesat ligjore në fuqi.

Reagimi i plotë i AKU:

Lidhur me publikimin e disa shkrimeve të paverteta, publikuar në disa portale, duam të sqarojme dhe sigurojmë konsumatorin shqiptar se shëndeti i tyre nuk është në asnjë moment i rrezikuar nga produkti domate dhe po ashtu nuk ka patur kthime nga vendet e Bashkimit Europian për këtë produkt. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit verifikon kthimet e produkteve shqiptare të eksportuara në vendet e BE-së nëpërmjet njoftimeve të menjëhershme që vijnë nga sistemi RASFF (Sistemi i BE i Njoftimit të Menjëhershëm për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë) dhe bëjmë me dije se përgjatë vitit 2023 nuk ka patur asnjë kthim të produktit domate me origjinë Shqipërinë e destinacion BE-në.

Duhet të rikujtojmë se, duke u nisur nga informacioni i pasaktë i publikuar ditën e djeshme, Shqipëria ka vijuar të eksportojë produkte fruta – perime, mes tyre edhe domate lirisht me destinacion vendet e Bashkimit Europian, në përputhje me kërkesat ligjore në fuqi. Të gjitha produktet domate që eksportohen nga vendi ynë shoqërohen ne certifikatë fitosanitare që vërteton gjendjen shëndetësore të produktit me origjinë joshtazore, si dhe sigurinë e këtij produkti.

Këto produkte veç nënshtrimit të kontrollit zyrtar në prodhim nga agronomët zyrtarë të Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, analizohen edhe në kuadër të Planit Kombëtar të Monitorimit të Mbetjeve, duke garantuar shëndetin e konsumatorit shqiptar, por edhe atij europian. Trupa e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit është gjithnjë në gatishmëri për ndjekjen e gjurmueshmërisë së produkteve jokonforme, kundrejt kërkesave ligjore, dhe në rastet e konstatimit të shkeljeve të kërkesave ligjore merren marrë masat administrative përkatëse për gjetjet e evidentuara nëse ka. I bëjmë thirrje konsumatorit dhe medias të ndjekë informacionin e plotë zyrtar lidhur me garantimin e sigurisë ushqimore nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, duke mos u bërë pre e dizinformimit.

-AKU: Domatja shqiptare, e sigurtë, asnjë kthim në vitin 2023 nga BE

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *