Gjyqtarja e Gjykatës së Elbasanit, Matilda Fetau u përball të hënën më 29 maj me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore u relatuan raporte pozitive për pasurinë dhe pastërtinë e figurës, ndërsa në aspektin profesional u evidentuan gjetje vetëm për dy çështje të denoncuara nga publiku, për të cilat ajo dha shpjegime. Reth dy orë e gjysmë pas përfundimit të seancës dëgjimore të hënën, Komisioni shpalli vendimin e konfirmimit në detyrë të gjyqares Fetau.
Procesi i vetingut për gjyqtaren Fetau u krye nga trupa e KPK e kryesuar nga Roland Ilia, me relatore Suela Zhegun dhe anëtare Genta Tafa Bungo. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Willem Brower.
Matilda Fetau përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2015 dhe pas një periudhe stazhi u emërua në Gjykatën e Rrethit Elbasan, ku vazhdon ta ushtrojë edhe aktualisht funksionin.
Gjatë seancës dëgjimore, relatorja Zhegu nuk evidentoi probleme për një sipërfaqe tokë arë të përfituar nga familja e origjinës e subjektit nga ligji “Për tokën”; për një automjet Toyota të blerë prej Fetaut për çmimin 2100 euro me burim nga pagat; për dy ovedrafte; një apartament të përdorur kundrejt qirasë, si dhe lidhur me adresat e tjera të deklaruara prej saj.
Po ashtu, Komisioni nuk ka konstatuar probleme për një apartament të blerë me kredi nga familjarët e origjinës së subjektit në vitin 2013 kur ajo ishte ende studente. Zhegu sqaroi se subjekti ka deklaruar në vitin 2014 bashkëjetesën me bashkëshortin dhe ka pohuar gjatë hetimit administrativ se nuk ka kontribuar në pagesën e kësteve të shtëpisë së prindërve. Por ashtu, ka rezultuar se prindërit e gjyqtares Fetahu nuk kanë pasur banesë tjetër përpara dhe se deri në 2013-ën kanë jetuar me qira.