Alicia Kearns, kryetarja e Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit. Me anë të një postimi në Twitter, Kearns ka thënë Serbia i paguan grupet kriminale të serbëve në veri, si dhe i ka sugjeruar të gjithë që të lexojnë një artikull të New York Times të publikuar ditë më parë lidhur me këtë çështje.
“Inkurajoni këdo që ndjek ngjarjet në Kosovë të lexojë këtë artikull të NYT për Vuçiç, dhe lidhjet e tij me grupet e krimit të organizuar dhe përdorimin e bandave për t’i realizuar dhe siguruar interesat e tij. Në veri të Kosovës, bandat serbe po paguhen dhe armatosen me armë nga Beogradi”, ka shkruar Kearns.
Qytetarët serbë kanë tentuar sërish të bllokojnë objektet e komunave dhe të pengojnë hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptar. Policia e Kosovës dhe KFOR kanë rrethuar ndërtesat zyrtare ndërsa situata është përshkallëzuar teksa kanë hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Për shkak të rindezjes së tensioneve është njoftuar se shkollat në veri të Kosovës do të mbyllen dhe mësimi do të pezullohet përkohësisht. Për zhvillimet e fundit në veri ka pasur reagime të shumta nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian të cilët kërkuan të mos përshkallëzohet situata pasi që kjo nuk ndihmon në procesin e dialogut mes dy vendeve.