Ministria e Jashtme gjermane ka reaguar përmes një postimi në Twitter duke bërë thirrje për të ndaluar dhunën në veri të Kosovës. Në njoftimin e vendosur në faqen zyrtare të Ambasadës gjermane shkruhej se ata dënojnë sulmet e papranueshme ndaj ushtarëve të KFOR-it, ndërsa theksojnë se nevojitet urgjentisht de-përshkallëzimi i situatës.
DEKLARATA E PLOTË:
Dënojmë me shprehjet më të forta sulmet e dhunshme të papranueshme në veri të Kosovës pasditen e sotme, duke shkaktuar të lënduar dhjetëra ushtarë të KFOR/ NATO-s dhe disa civilë. Mendimet tona janë me të lënduarit, të cilëve u urojmë shërim të shpejtë. Ne bëjmë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të çdo dhune dhe të çdo veprimi që ndez tensionet. De-përshkallëzimi tani nevojitet urgjentisht. Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në bisedime për këtë qëllim pa ndonjë vonesë të mëtejshme dhe të vazhdojnë të punojnë në zbatimin e Marrëveshjes për normalizim, të arritur në shkurt dhe mars, duke përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ne mbështesim plotësisht Përfaqësuesin Special të BE-së Miroslav Lajčák në përpjekjet e tij për të ulur tensionet.