“Situata në Veri duhet të qetësohet, përgjegjëse janë të dyja palët”/ Zëdhënësi i BE-së: Dënojmë dhunën, dialogu mes Serbisë e Kosovës duhet të vazhdojë
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka refuzuar që të përgjigjet në pyetjen e gazetarëve se kush i ka sulmuar ushtarët e KFOR-it më 29 maj në Zveçan, në veri të Kosovës, por tha se përgjegjëse për dhunën në veri janë Kosova dhe Serbia.
Gjatë një konference për media, Stano, duke iu përgjigjur pyetjes se pse shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, në deklaratën e tij, përmes së cilës ka dënuar dhunën në veri të Kosovës, nuk ka folur lidhur me atë se kush i ka sulmuar ushtarët e KFOR-it, Stano tha:
“Përfaqësuesi i lartë [Josep Borrell] është përfaqësues për politikë të jashtme dhe siguri, dhe ai nuk është aty për të konstatuar se kush, kë e ka sulmuar. Ai ka rol për të siguruar që gjithçka të ndërmerret për të ulur tensionet dhe qetësuar situatën. Prandaj, edhe ai po angazhohet për të ulur tensionet. Kjo situatë nuk ka ardhur vetvetiu, por është pasojë e rrethanave dhe zhvillimeve për të cilat janë përgjegjëse të dyja palët”.
Gjatë përleshjeve midis protestuesve serbë dhe trupave të KFOR-it, janë plagosur 30 ushtarë ndërkombëtarë, tre prej të cilëve kanë marrë plagë nga armët e zjarrit. Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë se dhuna e shkaktuar të hënën në Zveçan nga “turma agresive” ka qenë “e paprovokuar”. Një ditë pas kësaj ngjarjeje, Borrell kërkoi nga Kosova që “menjëherë dhe pa kushte” të shtensionojë situatën.
“Përshkallëzimin po e shohim që nga e premtja [26 maj], prandaj edhe Borrell dhe shtetet anëtare e kanë dënuar dhunën dhe kanë ftuar për uljen e tensioneve. U kanë thënë të dyja palëve”, tha Stano.
I pyetur nëse tensionet në veri nënkuptojnë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë – që ndërmjetësohet nga BE-ja – ka dështuar, Stano tha se “jo, dialogu vazhdon. Përpjekjet madje janë shtuar dhe dialogu tash është i rëndësishëm se kurrë”. Që nga 26 maji, tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur, pas hyrjes në objektet komunale të kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut. Serbët po protestojnë edhe të martën për të kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë, por edhe për të kërkuar tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu. Kryetarët e rinj shqiptarë u zgjodhën në zgjedhjet e parakohshme të 23 prillit.
Këto zgjedhje u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve të mëparshëm komunalë nëntorin e kaluar. Kryetarët e mëparshëm vinin nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – e cila nuk mori pjesë në zgjedhje dhe procesi u bojkotua nga serbët lokalë./REL