Policia Kufitare vijon hetimet në bashkëpunim me specialistët e Inspektoriatit të Peshkimit Vlorë, në bazë të informacionit të siguruar, për një mjet lundrues që kryente peshkim të paligjshëm, në vendin e quajtur “Gjiri i Shën Janit”, në gjirin e Vlorës, shërbimet e SPK Triport, së bashku me mjetin lundrues të Policisë, shkuan menjëherë në këtë zonë, për të verifikuar informacionin e marrë.
Në afërsi të gjirit të Shën Janit, u konstatua mjeti lundrues tip varkë plastike, me 2 shtetas në bord, ku gjatë kontrollit rezultoi se nuk kishte dokumentacionin e nevojshëm në bord. Gjithashtu, në një enë termus-mbajtëse u gjet një sasi peshku i llojit “Sarmua”.
Shërbimet e Policisë Kufitare ndëshkuan me masë administrative 10 000 lekë të rinj, drejtuesin e varkës, shtetasin V. K., si dhe bllokuan mjetin lundrues, deri në sqarimin e plotë të rrethanave të këtij rasti nga përgjigjja e ekspertimit që do të bëhet nga specialistët e Inspektoriatit te Peshkimit Vlorë.