Xhamat e një makine të Policisë së Kosovës u thyen para pak çastesh në Zveçan. Një automjet që ishte duke qarkulluar nga objekti i komunës së Zveçanit, në drejtim të Mitrovicës ka thyer xhamat e një veture të Policisë së Kosovës, raporton KosovaPress.
Automjeti që sulmoi veturën e Policisë është larguar nga vendi i ngjarjes. Prej tre ditësh në komunat veriore po vazhdojnë protestat e serbëve, të cilët po kundërshtojnë kryetarët e zgjedhur shqiptarë në zgjedhjet e mbajtura më 23 prill.
Të hënën, protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur sende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve.
Si pasojë e protestave të dhunshme janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it.
Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë,teksa kanë anuluar edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi qeveria ka refuzuar t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.