Së shpejti do të marrë jetë ideja e vjetër italiane për të ndërtuar një ujësjellës që do të lidhte burimet ujore në Jugun e Shqipërisë me rajonin e Pulias, që është goditur nga thatësira e viteve të fundit.
Sipas Corriere.it, që i referohet një deklarate të presidentit të rajonit të Pulias, Michele Emiliano, qeveria shqiptare i ka dhënë “OK” Italisë për projektin me kosto 1 miliardë euro të ujësjellësit që do të lidhë Gjirokastrën me Galugnano, në Salento,
“Qeveria shqiptare na ka autorizuar të fillojmë planifikimin e ujësjellësit që do të lidhë Shqipërinë me Italinë. Shqipëria hedh një sasi të madhe uji të mirë në det dhe padyshim se ka interes që t’i paguajë për të. Ne kemi interes ta marrim sepse për ne uji do të thotë t’i japim një model të ri bujqësisë, të bëjmë turizmin të rritet dhe t’u japim një të ardhme të gjithë pulianëve”, deklaroi presidenti i rajonit të Pulias, Michele Emiliano, gjatë një konference për shtyp në Bari për investimet në sistemin e ujësjellësit.
Për të ndërtuar infrastrukturën e nevojshme do të duhen 4 vite punë dhe një miliardë euro. Ujësjellësi pritet që të financohet me burimet e BEI-së, BERZH-it, shtetit Italian dhe rajonit e korporatës së ujësjellësit pulian.
Qëllimi sipas Corriere.it është që çdo vit të transportohen 150 milionë metër kub ujë në Pulia dhe për rajonin do të jetë një infrastrukturë strategjike, duke pasur parasysh thatësirën që e ka karakterizuar vitet e fundit.