Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se përparimi në dialog mes Kosovës dhe Serbisë është mënyra e vetme për paqe afatgjatë dhe stabilitet në rajon.
Në një postim në Twitter, Presidenca turke ka thënë se ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, lidhur me zhvillimet në veri të Kosovës.
Sipas njoftimit, Erdogan ka theksuar se Turqia është e gatshme të kontribuojë në procesin e dialogut.
Turqia i bashkohet kështu reagimeve nga vendet e Perëndimit që bënë thirrje për kthim në dialogun e Brukselit dhe qetësim të situatës në tri komuna në veri të Kosovës, në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.