Ditën e sotme në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve po mbahet seanca e ankimimit të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për votimin elektronik në bashkinë e Elbasanit dhe rezultatit që nxorri fitues kandidatin e PS, Gledian Llatja. Ata kërkojnë ekspertimin kompjuterik të çdo pajisjeje elektronike që është e pajisur me server për ruajtjen e të dhënave elektronike.
Gjatë seancës, përfaqësuesit e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ parashtruan pretendimet se ka një mospërputhje të votave të kandidatëve për kryetarë bashkie në total dhe atyre të këshilltarëve bashkiakë në total.
“Po të mbledhim votat për kryetar bashkie të dy kandidatëve plus votat e pavlefshme në total janë 65.612 sipas listës që ka paraqitur KQZ në listën përmbledhëse dhe përfundimtare ku është shpallur fitues kandidati i PS. Nëse mbledhim të gjithë votat e partive për këshillin bashkiak ka një numër prej 65.713. Pra ka një mos përputhje të numrit të votave dhe na lind dyshimi i arsyeshëm që në këto pajisje ka problematika”- u shprehën përfaqësuesit e koalicionit Berisha-Meta.