Një aksion policie është zhvilluar sot në Lezhë, ku janë sekuestruar 2583 rrënjë kanabisi. Mësohet se operacioni është kryer në disa fshatra të Lezhës dhe të Kurbinit. Në fshatin Skuraj janë gjetur 337 bimë kanabisi, ndërsa në fshatrat Fushë Kuqe dhe Gërnac janë 2215 rrënjë kanabisi. Ndërkohë që në Lezhë janë 31 rrënjë kanabisi.
Njoftimi i Policisë:
Vijon kontrolli i të gjithë territorit të qarkut deri në zonat më të thella e më të vështira malore e të pyllëzuara, nga toka dhe ajri, për të parandaluar dhe goditur tentativat për të kultivuar bimë narkotike cannabis sativa. Finalizohet faza e nëntë e megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Imazhi”. Gjatë kësaj faze të megaoperacionit, u asgjësuan në total 2583 bimë narkotike cannabis sativa, të cilat u gjetën të kultivuara në minisera dhe në tokë, në fshatra të ndryshëm, në Kurbin dhe në Lezhë. Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe të komisariateve nën varësi, kanë vijuar intensivisht kontrollet në të gjithë qarkun, duke përfshirë dhe skanuar edhe zonat më të thella e të vështira, malore e të pyllëzuara, me qëllim parandalimin e tentativave dhe goditjen e rasteve të konstatuara të kultivimit të bimë narkotike.
Si rezultat i kontrolleve, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër dhe me kolegët e GDF-së, u organizua dhe u finalizua faza e nëntë e megaoperacionit “Imazhi”, në kuadër të së cilës: në fshatin Skuraj, Kurbin, në një zonë të pyllëzuar dhe të vështirë malore, u gjetën 2215 bimë narkotike cannabis sativa, në fshatrat Fushë Kuqe dhe Gërnac, Kurbin, u gjetën 337 bimë narkotike cannabis sativa dhe në fshatin Kolsh, Lezhë, u gjetën 31 bimë narkotike cannabis sativa. Bimët narkotike, pas kryerjes së veprime hetimore procedurale, u asgjësuan me anë të djegies. Vijojnë veprimet hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, me qëllim identifikimin dhe arrestimim e autorit/ëve të kësaj veprimtarie kriminale. Gjatë 8 fazave të mëparshme të këtij megaoperacioni, në fshatra të ndryshme të qarkut, u asgjësuan në total 12.196 fidanë dhe bimë narkotikë, si dhe u vunë në pranga 3 shtetas dhe u shpall në kërkim 1 tjetër, autorë të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale. Megaoperacioni policor antikanabis “Imazhi”, vijon.