Avokati Adriatik Lapaj ka reaguar lidhur me aksidentin e ndodhur sot në Vlorë, ku u shua një familje me katër anëtarë. Në statusin e tij në Facebook, avokati shkruan se aksidenti është pasojë e të gjithë gjërave që nuk shkojnë në vendin tonë, madje viktima shpallet edhe fajtor.
POSTIMI I PLOTË:
Lexova shumë reagime për fatkeqësinë ku u shua një familje. Shumë fajësonin policinë, shumë baballarët e pasur që rrisin fëmijë si ata që shkaktuan aksidentin…shumë të tjerë ligjin… Së pari, ngjarja është vërtet shumë tragjike dhe e trishtë. I shpreh ngushëllime të sinqerta familjes së tyre! Së dyti, aksidente tragjike ka kudo. Çështja është që këtu shumica ndodhin nga elementi njeri. Së treti, pse bëjmë sikur se dimë ku jetojmë? Jetojmë në vendin ku qytetarët e këtij vendi paguajnë ryshfet për të blerë patentat. Marrëzi e madhe! Jetojmë në vendin ku qytetarët e këtij vendi sapo i ndalon policia rrugore, nxjerrin telefonin dhe marrin x apo y mik. Madje me karshillëk i thonë edhe se do e heqin nga puna. Jetojmë në vendin ku sapo ndodh një aksident të afërmit vrapojnë të korruptojnë policin të prish vendin e ngjarjes, ekspertin të deformojë të vërtetën, prokurorin të mbyll sytë dhe gjyqtarin të mbyll veshët. Ja kështu shkatërrohet sistemi dhe vjen dita na ha një e nga një. Jetojmë në vendin ku në 90% të aksidenteve ai që vdes del dhe fajtor. Mjerë kush ka radhën! Jetojmë në vendin ku vetëm jeta nuk ka vlerë sepse vlerë ka veç paraja. Një shoqëri që rend kështu pas parasë dhe e përçudnon kaq shumë jetën, sot qenka irrituar! Një komb pa sistem vlerash morale është i destinuar të tretet e zhbëhet…herë me aksidente, herë nga mungesa e ilaçeve e herë nga plumbat…
/Priza.al/