Një 33-vjeçar është arrestuar në Morinë për trafikim të lëndëve narkotike. Policia njofton se i riu ishte pasagjer në një automjet taxi, në të cilën u gjetën 4 pako me lëndë të dyshuar narkotike ekstazi.
Njoftimi i policisë:
Morinë, Kukës
Tentoi të trafikonte lëndë narkotike në Shqipëri, vihet në pranga 33-vjeçari.
Shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, bazuar në inteligjencën informative dhe në analizën e riskut, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijë të dytë, për kontroll më të imtësishëm, një automjet taksi.
Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë, në automjetin taksi në të cilën udhëtonte si pasagjer shtetasi A. B., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 4 pako me lëndë të dyshuar narkotike ekstazi.
Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Kukës arrestuan në flagrancë shtetasin A. B., 33 vjeç, banues në Zyrih, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.