Sa herë që ndodhin incidente në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, shqetësime paraqiten edhe te partnerët ndërkombëtarë të kompanisë së teknologjisë së informacionit ‘Anchorzup’, në Prishtinë.
Kjo kompani ofron shërbime për tregun ndërkombëtar, përfshirë zhvillimin e softuerëve, ueb-faqeve, shërbime marketingu dhe shitjeje.
Jeta Zagragja, themeluese dhe kryeshefe ekzekutive në kompani, shprehet se pas çdo trazire apo përshkallëzim të situatës në katër komunat e banuara me shumicë serbe, (Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq) klientët nga shtetet evropiane dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës paraqesin shqetësime për mundësinë e rrezikimit të investimeve të tyre.
“Interesohen në qoftë se duhet ndërprerë edhe bashkëpunimin. Gjithsesi paraqitet si jostabilitet i përgjithshëm në vend. Kemi pasur ankesa të tilla. Por, ne gjithmonë kemi arritur t’u tregojmë se (në veri të Kosovës) është një situatë më e izoluar, siç mund të ndodhë edhe në shtete tjera të Evropës dhe botës dhe nuk afekton pjesën tjetër”, thotë ajo.
Tensionet në veriun e banuar me shumicë serbe nisën më 26 maj, pasi kryetarët e rinj, nën asistimin e Policisë së Kosovës, u futën në ndërtesat komunale.
Qytetarët serbë në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok edhe më 29 maj, protestuan për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale. Revolta e tyre u shndërrua në përleshje të dhunshme me pjesëtarë të misionit të NATO-s, KFOR, më 29 maj.
Këto tensione, thotë Zagragja, shkaktojnë hezitime te partnerët, me të cilët janë në negociata për bashkëpunim.
“Megjithatë, ne ende nuk e dimë si mund të afektojë kjo situatë tek investimet që ende nuk i kemi marrë. Me klientët që jemi duke punuar i kemi bindur, sepse ata kanë qenë këtu (në Kosovë) kemi folur drejtpërdrejt, por të tjerët mund të shqetësohen dhe të largohen”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.
Sektori i IT-së në Kosovë është relativisht i ri dhe ka filluar të zhvillohet në fillim të viteve 2000, por megjithatë ka arritur që të ofrojë shërbime edhe në tregun ndërkombëtar.
Kompania ‘Stree’ me qendër në Ferizaj, merret me eksport të shërbimeve të softuerëve. Pronari i kësaj kompanie, Shkelzen Vishi, thotë se jo në të gjitha rastet e trazirave reagojnë partnerët ndërkombëtarë, më të cilët bashkëpunojnë.
Klientët nuk janë shumë të informuar për situatën në Kosovës, shprehet ai, pasi shumica e kontratave lidhen në mënyrë elektronike. Atyre u intereson shërbimi dhe jo vendi.
“Vetëm në një rast ka ndodhur. Një partner nga Zvicra ka qenë në Kosovë për arsye biznesi dhe ndodhën trazira në veri të Kosovës. Ai u shqetësua dhe pyeti për stabilitetin e sigurisë ”, tregon Vishi.
Probleme të tilla nuk ka kompania amerikane ‘Radix’ që ka degë edhe në Prishtinë. Kjo kompani ofron shërbime për kompani të ndryshme në botë.
Pronari i saj, Visar Jasiqi, thotë se klientët i shfrytëzojnë shërbimet online dhe nuk preken nga situata aktuale në veri të Kosovës dhe as në të kaluarën nuk ka pasur ankesa të tilla.
Nuk është vetëm sektori i IT-se që po pëson nga trazirat në komunat e banuara me shumicë serbe. Për përshkallëzim të situatës në veri të Kosovës, autoritetet e Kosovës po fajësojnë “strukturat kriminale dhe ilegale” të Serbisë.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur qëndrimin se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të sillte përfitime për komunitetin e biznesit dhe rritjen e investimeve të huaja.
“Çështjet e pazgjidhura mes dy vendeve kanë krijuar një mjedis të paqëndrueshëm që është dekurajues për bizneset e huaja të investojnë në Kosovë, pasi investitorët hezitojnë të investojnë paratë e tyre në një vend me një nivel të lartë të pasigurisë politike, i cili rrit rreziqet që lidhen me investimet e tyre”, thuhet në një komunikatë të kësaj ode më 16 maj./REL