Kryeministri Edi Rama ndodhet prej dy ditësh në Vlorë, ku dhe inspektoi investimet që po bëhen në Kume të Vlorës. Lagja po i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë, dhe Rama inspektoi ecurinë e punimeve në sheshin e Flamurit, ndërtimin e Parkut të Shtëpisë së Pavarësisë dhe infrastrukturën lidhëse të rrugës Transballkanike me detin.
Projekti tha Rama po ecën me ritme të shpejta dhe qytetarët do kenë mundësi ta përshkojnë me këmbë apo me biçikleta rrugën nga sheshi përmes Lungomares deri tek tuneli. “Spektakël është, dhe se si u hap gjithë kjo hapësirë. Dukej e pamundur që të kishte kaq hapësirë. Nga Sheshi i Flamurit deri tek Tuneli, ti ecën në këmbë pa ndërprerje ose me biçikletë. Super është, dhe prit që të hapet ajo tjetra aty”, tha Rama.
Ajo që ra në sy sërish, ishte mungesa e kryebashkiakut Leli dhe zëvendësimi i tij nga nënkryetari Afrim Qendro. Ky i fundit është trajtuar kohët e fundit nga Rama, si kryetar “de fakto” i bashkisë së Vlorës. Kujtojmë se përplasja mes kryeministrit dhe kryebashkiakut Dritan Leli, nisi kur ky refuzoi që të hiqte dorë nga mandati i kryebashkiakut e të kandidonte për deputet në një vend jo të sigurt të listët së PS.
Në krah të drejtuesit politik të Qarkut, është edhe Damian Gjiknuri. Qendro i ka shpjeguar me hollësi kryeministrit të gjitha detajet e punimeve dhe madje i ka dhënë fjalën, se ato do të mbyllen brenda vitit. Projekti i sheshit dhe parkut, shpjeguan zbatuesit e punimeve, është konceptuar me të paktën 16 lloje të ndryshme palmash, ku mbi 80% shtohen të reja. “Do të punohet me nivele të ndryshme, për të krijuar një konfiguracion të plotë”, – u shprehën ata.
E gjithë hapësira është pastruar nga ndërtimet informale, duke u krijuar një hapësirë deri dje e padukshme nga ndërtimet që kishin zënë pamjen dhe lidhjen e Sheshit të Flamurit me detin. Ndërkohë sipas nënkryetarit të Bashkisë Vlorë, Afrin Qendro, kanë përfunduar punimet nëntokësore. “Disiplinuam ujërat e bardha sepse këtu ujërat e bardha bashkoheshin me të zezat”, – u shpreh Qendro. Rreth 80% e sipërfaqes së projektit tashmë ka marrë formë, ndërsa punimet janë intensifikuar dhe po shkojnë drejt përfundimit.
Teksa është njohur nga afër me punën që po vijon në terren, kreu i qeverisë ka kërkuar më shumë informacion rreth projektit. Mësohet se së shpejti nis puna edhe për tre Portet e reja ai Turistik, i Mallrave dhe Porti i Peshkatarëve.
/Priza.al/