Shtetet e Bashkuara besojnë se kundërofensiva e shumëpritur e Ukrainës do të rezultojë në marrjen e “territorit të rëndësishëm strategjik” nga Kievi.
Kështu deklaroi për CNN, Jake Sullivan, këshilltari i sigurisë kombëtare i presidentit amerikan, Joe Biden.
“Saktësisht sa, në cilat vende, do të varet nga zhvillimet në terren ndërsa ukrainasit do të fillojnë këtë kundërofensivë”, tha ai.
“Por ne besojmë se ukrainasit do të kenë sukses në këtë kundërofensivë”, pohoi Sullivan.
I pyetur nëse kjo do të thoshte se ai priste një formë negociatash deri në fund të këtij viti, këshilltari nuk do të jepte asnjë lloj afati, por tha se zhvillimet në fushën e betejës do të kenë një “ndikim të madh” në çdo negociatë të ardhshme.
“Por, ajo që do të them është kjo: vetë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se kjo luftë do të përfundojë përmes diplomacisë”, tha Sullivan.
Ndryshe, Zelensky ka paraqitur muaj më parë një plan të paqes mes ukrainasve dhe rusëve, ku këta të fundit e kanë refuzuar një gjë të tillë.