Blerja e karburantit që do të përdoret për të prodhuar energji nga dy anijet e instaluara në Vlorë do të kushtojë 100 milionë dollar. Korporata Elektroenergjetike ka shpallur në regjistrin e parashikimeve të APP-së supertenderin për “Blerje lëndë djegëse HFO për përdorim nga aseti gjenerues termik i përkohshëm.”
Sipas dokumentave të depozituara na Agjencinë e Prokurimeve Publike fondi limit i tenderit është përcaktuar 10 miliardë e 267 milionë lekë ose më shumë se 100 milionë dollarë me kursin aktual.
Thirrja për shprehjen e interesit për kompanitë që janë të furnizuar KESH me karburant u shpall që në janar. Sipas saj, KESH kërkon të blejë fillimisht 100 mijë tonë karburant, të llojit naftë e rëndë që do të përdoret për prodhimin e energjisë nga dy termocentralet lundruese
Burime nga KESH thanë se në fazën e parë shprehën interes disa kompani, kryesisht të huaja dhe shumë shpejt pritet të kalohet në fazën e dytë, atë të hapjes së garës për blerjen e karburantit.
Kjo është procedura më e madhe e prokurimit që është regjistruar ndonjëherë në Shqipëri për blerje mallrash. Fillimisht KESH kishte parashikuar që tenderi të zhvillohej në muajin maj, por burime nga Korporata thonë se tenderi u shty për shkak sepse nuk është ende gati infrastruktura e ngarkim shkarkimit.