EurActiv: Drafti i Ramës për asociacionin, Prishtina nuk e ka mirëpritur. Heshtje nga BE, Gjermania e Franca

EurActiv në një artikull të publikuar ndalet te draft propozimi i Kryeministrit Edi Rama për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në artikull thuhet se Ambasadat gjermane dhe franceze në Tiranë nuk deshën të komentojnë draftin dhe Komisioni Evropian nuk iu përgjigj kërkesës për koment.
Një zëdhënës i qeverisë gjermane, megjithatë, konfirmoi se ata kishin marrë një dokument të tillë, por se përmbajtja e tij mbetet konfidenciale.

Sa i përket Francës, një burim me njohuri të thella për negociatat në vazhdim tha se Franca mbështet planin e saj dhe nuk do të komentojë më tej për këtë temë.

Asociacioni u ra dakord gjatë një dialogu të mbështetur nga BE-ja në 2013 përpara se të shpallej jokushtetues nga gjykata më e lartë e Kosovës në vitin 2015. Asociacioni do t’u lejonte serbëve vetëqeverisje kolektive në shumicën e fushave duke përfshirë shëndetësinë, arsimin, planifikimin urban dhe ekonominë.
Pas javësh tensionesh të shtuara mes Serbisë dhe Kosovës për protestat në veri, Rama paraqiti një draft të enjten.

“Dje i përcolla presidentit Macron dhe kancelarit Scholz, të cilët janë dy kumbarët e propozimit franko-gjerman, një draft, për të cilin informova Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, si dhe palën amerikane. ”, tha ai gjatë një konference për shtyp.

Ai tha se drafti është përgatitur prej kohësh dhe se është duke pritur kohën e duhur për ta paraqitur.

“Është një draft i përgatitur prej kohësh nga ekspertët e nivelit më të lartë amerikan dhe evropian, i cili është bërë në rast se do të vinte kjo ditë, kjo ditë kur palët dhe në këtë rast për mua qëndrimi i Kosovës dhe jo Serbia, palët as që mund të bien dakord se kush duhet ta shkruajë këtë tekst dhe nuk pajtohen më se çfarë duhet të përmbajë teksti”, tha ai.

Rama tha se dokumenti do të mbetet konfidencial dhe nuk pretendon të jetë zgjidhja ideale, por shtoi se është një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr parasysh të gjitha arsyet e krijimit të asociacionit dhe vendin e saj në Republikën e Kosovës, në përputhje me kushtetutën.

“Situata po bëhet alarmante dhe unë nuk mund të mbetem spektator duke parë se si Kosova zvogëlohet dhe zvogëlohet në sytë e atyre që krijuan shtetin e Kosovës”, tha Rama.

Rama tha se është shumë i shqetësuar për situatën në veri dhe deklaratat e partnerëve ndërkombëtarë. Ai ka theksuar se Kosova duhet të pranojë propozimet ndërkombëtare pasi ekziston rreziku i humbjes së sovranitetit të saj.

Por propozimi nuk është pritur mirë nga të gjithë në Kosovë. Deputeti i partisë në pushtet Vetëvendosje, Armend Muja, akuzoi Ramën për afërsi me Serbinë dhe presidentin e saj Aleksandër Vuçiq.

“Duke dërguar një statut për ‘Asociacionin’ në Berlin dhe Paris, Rama vetëm po ekspozon dhe forcon miqësinë e tij me Vuçiçin. Edi Rama duhet të kapet diku për krim dhe korrupsion, përderisa detyrohet t’ia bëjë vetes publikisht para gjithë kombit shqiptar”, tha Muja.

Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti i tha parlamentit se ka propozuar një draft bazuar në modelin kroat.

“Unë u frymëzova nga modeli i Kroacisë për pakicat kombëtare për tre arsye. Së pari; Kroacia doli nga lufta gjatë shpërbërjes së dhunshme të ish-Jugosllavisë, ashtu si edhe Kosova. i dyti; sepse Kroacia është shembull i suksesit të një vendi anëtar në BE dhe NATO. E treta; sepse Serbia tashmë ka një marrëveshje me Kroacinë për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe që përfshin edhe të drejtat e pakicave kombëtare”, tha ai.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka reaguar, duke thënë se asociacioni po përdoret nga Serbia jo për të integruar serbët vendas në Kosovë, por si “kalë të Trojës” për ta bërë vendin një shtet jofunksional dhe për të vazhduar me planin për ndarjen e vendit.

“Kosova vazhdimisht ka paralajmëruar bashkësinë ndërkombëtare për arsyet e vërteta pse Serbia insiston në formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Asociacioni nuk kishte për qëllim asnjëherë të integronte serbët vendas në Kosovë, por të ishte si “Kali i Trojës” i Beogradit për ta bërë vendin jofunksional, duke përgatitur kështu rrugën për ndarje”, ka shkruar Bislimi në Tëitter.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *