Policia i ka ardhur në ndihmë 7 turistëve të huaj që kishin mbetur të bllokuar në Përmet, në kanionin e Langaricës.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Policia përmes një njoftimi, ku thuhet se ata ishin bllokuar për shkak të rritjes së nivelit të ujit për shkak të reshjeve.
Njoftimi i policisë:
Përmet/Punonjësit e Policisë i vijnë në ndihmë 7 turistëve të huaj që kishin mbetur të bllokuar në kanionin e Langaricës.
Ditën e sotme, në vendin e quajtur “Kanioni i Langaricës”, 7 turistë të huaj, duke eksploruar me këmbë zonën, kanë mbetur të bllokuar në pjesën e kanionit, për shkak të rritjes së nivelit të ujit në lumin e Langaricës, nga reshjet e shiut.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet dhe shërbimet zjarrfikëse, janë nisur në drejtim të zonës ku kishin mbetur të bllokuar turistët.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet, në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse dhe anëtarët e federatës shqiptare “Rafting Albania”, kanë kontrolluar zonën dhe kanë bërë të mundur lokalizimin e turistëve, në kanionin e Langaricës.
Falë punës së mirorganizuar dhe bashkëpunimit me shërbimet e tjera, punonjësit e Policisë kanë bërë të mundur nxjerrjen e 7 turistëve nga terreni i vështirë ku kishin mbetur të bllokuar.
Të gjithë turistët ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore. Ata kanë falënderuar punonjësit e Policisë dhe shërbimet e tjera që i erdhën në ndihmë në kohë rekord.
DVP Gjirokastër fton qytetarët që për çdo rast nevoje për ndihmë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.
#angazhimpërkushtimsakrificë???️
#tëvendosurkundërkrimit✅
#24/7
#nëshërbimtëqytetarëve???️??