Aleanca e Atlantikut të Veriut po zhvillon stërvitjen më të madhe ushtarake në historinë e saj.
Lajmin e kanë bërë të ditur mediat e huaja, sipas të cilave, stërvitja simulon një sulm ndaj një anëtari të aleancës.
Stërvitja Air Defender 2023 është paraqitur si një shfaqje force për Rusinë, me rreth 10,000 pjesëmarrës dhe 250 avionë nga 25 vende.
Suedia, e cila shpreson të bashkohet me aleancën, dhe Japonia po marrin pjesë gjithashtu në stërvitje.
Avionët e parë u ngritën mëngjesin e sotëm nga fushat ajrore në veri të Gjermanisë.
Vetëm SHBA po dërgon 2000 trupa personel të Gardës Kombëtare Ajrore dhe rreth 100 avionë.
Përpara stërvitjes, Amy Gutmann, ambasadorja e SHBA-së në Gjermani, tha: “Do të isha shumë e befasuar nëse ndonjë lider botëror nuk do të merrte parasysh atë që tregon kjo për sa i përket frymës së kësaj aleance, që do të thotë forcën e kësaj aleance. Dhe kjo përfshin zotin Putin.”
Gjenerali Michael Loh, drejtor i Gardës Kombëtare Ajrore të SHBA, tha se stërvitja shkon përtej parandalimit.
“Kjo ka të bëjë me atë se çfarë do të thotë të dalësh kundër një fuqie të madhe,” tha ai.
Kjo stërvitje ushtarake do të zhvillohet deri më 23 qershor.