Pallati 12-katësh në Florida u shemb në disa sekonda, ekspertët: Kishte dëmtime të mëdha strukturore

Një ndërtesë banimi 12-katëshe në veri të Miamit është shembur, duke bllokuar njerëzit brenda. Shpëtuesit po kërkojnë me dëshpërim të mbijetuarit në rrënoja. Ja se çfarë dimë për atë që ka ndodhur.

Një pjesë e madhe e Champlain Towers, në breg të detit në qytetin Surfside, u shkatërrua për tokë në orët e para të së enjtes. Mjaftuan vetëm disa sekonda. Ndërtesa përmbante 136 apartamente dhe 55 prej tyre u shembën, duke lënë grumbuj mbeturinash.

Njëri e krahasoi skenën me sulmet e 11 shtatorit 2001 me Kullat Binjake në New Jork. Imazhet e bëra para dhe pas shembjes tregojnë shkallën e dëmtimit. Në një artikull të publikuar të shtunën në gazetën “New York Times” thuhej se sipas një raporti tre vjeçar hartuar nga një inxhinier ndërtimi, objekti 12-katësh i shembur në Florida, kishte “dëmtime të mëdha strukturore” në pllakën e betonit poshtë strukturës së pishinës.

Për më tepër, sipas gazetës, inxhinieri kishte vënë re dëmtime të “mëdha” në mure, trarë dhe kolonat e garazhit të makinave. Sipas “New York Times”, ky raport ishte dhe baza për “një projekt riparimi prej miliona dollarësh që ishte vendosur të fillonte së shpejti”. Gazeta tha se zyrtarët lokalë e publikuan raportin të premten vonë në mbrëmje.

Në raportin e vitit 2018 nuk jepej ndonjë provë se ndërtesa ishte gati të rrëzohej, por thuhej se “pjesa më e madhe e betonit të dëmtuar duhet të riparohet në kohën e duhur”. Gazeta “Washington Post”, duke cituar një studim të kryer vitin e kaluar, raportoi se kompleksi me 130 apartamente ishte ndërtuar në zonën e plazhit të Majamit , e cila vazhdon të zhytet gradualisht që nga vitet 1990. Nuk është e qartë nëse këta kanë qenë faktorë që kontribuan në shembjen e një pjese të ndërtesës.

Ekipet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë ende operacionin në një përpjekje për të gjetur të mbijetuar. Katër persona janë konfirmuar të vdekur dhe nuk dihet ende fati i 159 të tjerëve.

Shembja ndodhi ndërsa shumë ishin ende duke fjetur. Mobiljet dhe sendet e banorëve mund të shihen nga rrënojat që kishin mbetur nga shtëpitë e tyre. Ndërsa familjet dëshpërimisht presin për lajme, ekipet e kërkimit kanë punuar gjatë gjithë kohës duke përdorur kamera hidrosanitare dhe qen të stërvitur posaçërisht për të për të gjetur të mbijetuar nën rrënoja.

/Burimi BBC/ përshtati në shqip Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *