Presidenti i Republikës, Bajram Begaj në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin e Prespës për Dialog, ka zhvilluar një seri takimesh me krerët e shteteve të rajonit.
Begaj është takuar me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, Presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviç, si dhe Presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviç.
Gjatë takimeve, Begaj ndau me presidentët vizionin e përbashkët të mbështetur në respektin e ndërsjellë, dialog, bashkëpunim dhe gjithëpërfshirje, që janë tejet të rëndësishme për të forcuar paqen dhe prosperitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Gjithashtu në qendër të bisedave ishin zhvillimet në Veriun e Kosovës. Presidenti Begaj nënvizoi nevojën që vendet e rajonit anëtare në NATO, duhet të flasin me një zë për mos lejimin që provokime të ndryshme ta destabilizojnë Kosovën dhe të gjithë rajonin.
Pjesë e diskutimeve me presidentët ishin dhe efektet që ka prodhuar lufta në Ukrainë për rajonin në tërësi, si dhe çështje me interes dypalësh.