Veliaj inspekton punimet në ‘Kopshtin 41’

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi sot punimet për ndërtimin e ‘Kopshtit 41’, i cili do të jetë gati të mirëpresë të vegjlit e zonës në shtator. Ky kopësht po ndërtohet falë mbështetjes së Bashkimit Europian, përmes projektit “EU4schools”. Veliaj tha se kopshtit të ri po i shtohen hapësirat me kënde lojërash dhe terrene për zhdervjelltësimin e fëmijëve.

“Jemi shumë të ndërgjegjshëm që po shtohet jashtëzakonisht kërkesa dhe besimi i prindërve te kopshtet tona. Pra, kur prindërit kërkojnë të sjellin fëmijët në institucionet tona, si çerdhet apo kopshtet, na japin besim, sepse sjellin dritën e syrit, na kanë besuar njeriun e tyre më të shtrenjtë. Angazhimi ynë do të jetë që edhe në kopshtet ekzistuese të bëjmë këto ndërhyrje, por ama, edhe në shkollat e reja të fusim gjithmonë konceptin e parashkollorit apo të një kopshti me një hyrje të veçantë, për të maksimizuar një ndërtesën, e cila ndërtohet një herë e mirë, por mund të ketë disa funksione me dalje e hyrje të ndryshme, siç po bëjmë te shkolla “Bashkim Fino”, e cila po pret në mënyrë të përkohshme fëmijët që kemi këtu”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku ftoi prindërit të regjistrojnë fëmijët e tyre në çerdhet, kopshtet, shkollat që i përkasin zonës së tyre, pasi ato po ndërtohen të gjitha me të njëjtin standard dhe me kushte bashkëkohore, si në qendër, ashtu edhe në periferi të Tiranës. Veliaj tha se menjëherë pas këtij kopshti do nisë puna për një “buqetë të re institucionesh arsimore” në kryeqytet.

“Pavarësisht motit, u kemi kërkuar skuadrave tona që, edhe gjatë periudhës së pushimeve, në korrik-gusht, të sigurohemi që bëhemi gati në të gjitha institucionet dhe shtatori të na gjejë me një buqetë të re të institucioneve arsimore. Me të mbaruar këtë kopësht, do të fillojmë lotin tjetër, që është loti tek ‘Astiri’ dhe te ‘Liqeni i Thatë’. Kemi edhe dy shkolla të fundit të Njësisë 2 në Sauk. Tani që janë liruar terrenet. edhe tek ‘Spitali i Arabit’, por edhe oborri i ‘Akademisë së Policisë’, do të fillojmë edhe aty me dy institucione të reja dhe le të themi që për 2-3 dekadat e ardhshme kemi mbyllur gjithë detyrimet për Njësinë 2. Kërkoj mirëkuptimin e të gjithëve, derisa të çojmë në fund këtë kantier dhe pastaj do të vijojmë me regjistrimet që janë bërë te “Bashkim Fino”, për t’u transferuar te kopshti i ri”, tha Veliaj.

Ky kopësht pret rreth 200 fëmijë dhe ka një sipërfaqe ndërtimi 902 m2, të shpërndarë në dy kate. “Kopshti 41” do të jetë kopësht me ngrënie-fjetje dhe mjedise çlodhëse cilësore.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *