PD zyrtare mbledh Këshillin Kombëtar për 29 korrikun, me dyer të mbyllura

Partia Demokratike zyrtare ka mbledhur sot Këshillin Kombëtar për të miratuar vendimin e kryesisë për mbajtjen e zgjedhjeve për kryetar në 29 korrik.

Në nisje të saj është verifikuar kuorumi, ku sekretari për çështjet zgjedhore, Indrit Sefa ka bërë të ditur se nga 453 anëtarë që kishte në total Këshilli, kanë mbetur 329 pasi 124 janë përjashtuar për shkak se kanë bërë fushatë për forca të tjera politike.

Gazetari Osman Stafa bën të ditur se 124 anëtarët e përjashtuar janë pjesë e grupimit të Foltores që kanë kandiduar me ish kryeministrin Sali Berisha dhe koalicionin “Bashkë Fitojmë”.

Ndërkohë që nga 329 anëtarët e Këshillit me të drejtë vote, kanë marrë pjesë në total në mbledhje 174 anëtarë, 23 prej të cilëve ishin online.

Pasi është verifikuar kuorumi i nevojshëm për vijimin e mbledhjes, ajo ka vazhduar me dyer të mbyllura.

Mbledhja e Këshillit Kombëtar e kanë bojkotuar 17 deputetë mes të cilëve edhe Gazment Bardhi dh Jorida Tabaku, të cilët kanë qenë kundër mbajtjes së zgjedhjeve për kryetar përpara se të zhvilloheshin më parë zgjedhjet në seksione, grupseksione dhe degë.

Ndërkohë të pranishëm në Këshill janë 7 deputetë, që kanë qenë më herët pro 29 korrikut, kanë shkuar në mbledhjen e Këshillit.

Merita Bakiu, Eralda Tase Bano, Kreshnik Collaku, Seladin Jakupllari, Flutura Açka, Enkelejd Alibeaj dhe Arbi Agalliu pritet të votojnë pro mbajtjes së zgjedhjeve për kryetarin e PD-së në 29 korrik.

Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi bëri të ditur dje në përfundim të një mbledhje me grupin parlamentar se ata kanë vendosur të mos jenë të pranishëm sot për shkak të shkeljeve të shumta të statutit dhe marrjes së kompetencave të sekretarit të përgjithshëm nga një disa sekretariate.

Sot në mesnatë, ndërkohë skadon edhe afati i vendosur nga kryesia për paraqitjen e kandidaturave për kryetar të Partisë ku siç është thënë ndonëse jo zyrtarisht, kandidat do të jetë ish kryetari i PD-së, Lulzim Basha.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *