Erion Veliaj bëri betimin dhe mori zyrtarisht detyrën si kryebashkiak i Tiranës për herë të tretë.
Gjatë fjalës së tij, Veliaj falenderoi qytetarët e Tiranës për besimin e jashtëzakonshëm që i dhanë në zgjedhjet e 14 majit.
“Jam vërtet i emocionuar, i prekur, i përulur sot për besimin e jashtëzakonshëm që më është dhënë, për t’i shërbyer për herë të tretë, qytetit tonë. Vetëm mund të bëjmë kaq pak, bashkë mund të bëjmë shumë më shumë. Dua ta nis këtë fjalë me një ndjesi të jashtëzakonshme mirënjohjeje, fjala më e bukur shqipe, faleminderit. Faleminderit atyre që më dhanë besimin me votën e tyre.
Ndoshta njerëzit më të çmuar, që në një ditë me shi, ku mund të kishim qëndruar rehat në shtëpinë e tyre, u zjguan dhe thanë jo; unë jam këtu për të marrë një vendim për qytetin. Dua të falenderoj jo vetëm ata që na dhanë shumicë, por edhe ata që mendonin ndryshe nga ne”, theksoi ai ndër të tjera.