Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi sot, duke i kaluar për në seancë plenare, dy projektligje të propozuara nga Ministria e Brendshme.
Fillimisht u miratuan ndryshimet ligjore, që do t’i mundësojnë 146 punonjësve të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore të marrin sigurime shoqërore suplementare, siç ndodh edhe me punonjësit e agjencive të tjera ligjzbatuese, Gardën, Policinë e Shtetit dhe Ushtarakët.
“Projektligji që keni përpara propozon ndryshime teknike të ligjit për sigurimet shoqërore suplementare të punonjësve të agjencive ligj zbatuese. Vijnë si nevojë pas krijimit të AMP. Praktikisht këto ndryshime teknike konsistojnë në tre elementë. Së pari, kërkohet që të ndërrohet emërtimi, pasi në ligj figuron ende Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave dhe jo Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, që u krijua dy vite më parë. Kjo do t’i japi mundësi 146 punonjësve të AMP të trajtohen në mënyrë të barabartë me sigurime shoqërore suplementare, si të gjithë punonjësit e agjencive të tjera ligj zbatuese. E njëjta gjë do të vlejë edhe në aspektin e detyrimeve që do t’u ngarkohet punonjësve të AMP”, tha zv/ministri Julian Hodaj, gjatë prezantimit të projektligjit në Komisionin për Sigurinë Kombëtare.
Deputetja e PS, Antoneta Dhima tha se, kjo është një e drejtë që u takon punonjësve të AMP për të patur statusin e veçantë për të përfituar pensionin suplementare, ndërsa tha se, pjesë e këtij shërbimi duhet të jetë dhe shërbimi i mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi.“Ajo që doja të propozoja, është se në tekstin ku shkruhet, “policisë së mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi”, të rregullohet dhe të bëhet “për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi”, që të aplikohet kudo në ligj, që edhe ky grup punonjësish të përfitojnë”, tha Dhima.
Pas votimit të këtij projektligjit, Komisioni për Sigurinë Kombëtare votoi pro edhe marrëveshjen për pikën e re kufitare që lidh Malin e Zi dhe Shqipërinë, në kuadër të ndërtimit të urës së re mbi Bunë. Tashmë të dyja këto projektligje të enjten pritet të marrin besimin përfundimtar të parlamentit.