Dhuli: Rezultatet e para të Censit të Popullsisë dhe Banesave do dalin në qershor 2024

Drejtoresha e përgjithshme e INSTAT-it, Elsa Dhuli deklaroi sot se rezultatet e para të Censit të Popullsisë dhe Banesave që do të nisë më 18 shtator, do të dalin në qershor të vitit 2024.

Gjatë prezantimit të raportit vjetor në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, Dhuli e konsideroi thelbësore në suksesin e Censit, qasjen pozitive dhe pjesëmarrjen e popullatës.

“Suksesi i Cens-it varet nga qasja pozitive dhe pjesëmarrja e popullatës në të. Prandaj, gjatë vitit 2023 do t’i kushtohet një vëmendje e veçantë zbatimit dhe monitorimit të strategjisë së komunikimit, elementë bazë të së cilës janë komunikimi me palët e interesuara dhe publikun në përgjithësi.

Fushata e komunikimit do të promovojë Censin duke informuar publikun për qëllimin e tij, si dhe do të ndihmojë në forcimin e besueshmërisë së të dhënave dhe institucioneve përgjegjëse për prodhimin e tyre. Fushata përfshin përdorimin e të gjithë instrumenteve mediatik, kanalet e transmetimit dhe teknikave të tjera të komunikimit”, tha ajo.

Sipas saj, numërimi në terren i popullsisë dhe banesave do të fillojë me datë 18 shtator 2023 dhe do të vazhdojë për një periudhë gjashtëjavore, deri më 28 tetor 2023.“Rezultatet e para do të publikohen në qershor të vitit 2024, ndërsa ato të detajuara në nivel rajonal do të publikohen në dhjetor të vitit 2024”, tha Dhuli.

Për Cens-in, do të angazhohen afro 7800 persona si anketues, kontrollor dhe mbikëqyrës në të gjithë territorin e vendit.

Për të llogaritur nivelin e besueshmërisë dhe cilësinë e të dhënave të mbledhura, duke përdorur modele statistikore të rekomanduara nga organizatat ndërkombëtare, pas numërimit në terren, INSTAT-i do të organizojë anketën e pas Censit.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *