Pas një dekade babëzi sa nga bashkitë dhe ministritë Edi Rama do të ndryshojë rregullat për tenderat. Qeveria shqiptare ka hedhur për konsultim projektligjin për prokurimet publike. Në relacion shpjegohet se drafti vjen me disa risi që kanë qëllim përafrimin me legjislacionin e BE-së. Priza.al sjell draftin e publikuar nga qeveria.
Me ndryshimet e reja Këshilli i Ministrave do të krijojë organe qendrore blerëse për kryerjen e procedurave të prokurimit në emër dhe për llogari të autoriteteve ose ente kontraktore si dhe për monitorimin e zbatimit të kontratave. Kjo krijon dyshime për centralizim të procedurave të tenderimit.
Bizneset që duan të marrin pjesë në tenderat publikë do të paguajnë një tarifë për të dhënë ofertë përmes sisemit të prokurimit elektronik. “Përdorimi i Sistemit të Prokurimit Elektronik për zhvillimin e procedurave sipas këtij ligji dhe ligjeve të tjera nga autoritetet kontraktore dhe operatorët ekonomikë kryhet kundrejt pagesës. Tarifat e përdorimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave” thuhet në draft.
Me miratimin e draftit të ri do të shfuqizohet prokurimi për konsulencë, pasi nuk përcaktohet nga direktivat e BE-së. Për t’i mbajtur larg korrupsionit do të ketë një shpërblim për punonjësit e autoriteteve ose enteve kontraktore ose punonjësit e tjerë, që përfshihen në procesin e prokurimit.
Për bizneset do të jetë detyrim që të tregojnë pronarët përfitues ose do të eliminohen nga gara. Detyrimin për skualifikimin e një operatori ekonomik edhe kur personi i dënuar me një vendim gjyqësor të formës së prerë për shkelje të rëndë profesionale është anëtar i një organi administrimi, drejtues ose mbikëqyrës i atij, aksionar ose ortak, i operatorit ekonomik, ose ka kompetenca përfaqësuese, vendimmarrjeje ose kontrolluese brenda tij.