Dosja e Lefter Kokaj/ Avokatët: Kërkojmë pafajësi për tre akuzat e SPAK

Për rreth 5 orë ka zgjatur mbrojta e ish Ministrit Lefter Koka. Avokati Julian Mërtiri deklaroi se klienti i tij është i pafajshëm për 3 akuzat, shpërdorim detyre, korrupsion pasiv dhe pastrim i produkteve të veprës penale. Mërtiri deklaroi se Koka thjesht ka zbatuar vendimin e këshillit të ministrave.

Ka qenë komisioni që është ngritur me përfaqësues të shumë ministrive dhe pushtetit lokal që ka vendosur për dhënien e koncesionit, ndërsa Koka ka firmosur thjesht vendimin e qeverisë. Sipas avokatit nuk ka asnjë provë që implikon klientin e tij në përfitime te paligjshme për favorizim në dhënien e koncesionit.

Në mbrojtjen me më shumë se 100 faqe Mërtiri kërkoi lirimin e Kokës për shkak të moshës, për arsye se ka probleme të shëndetit, është baba i 3 fëmijëve dhe mbahet prej shumë kohësh në paraburgim. Gjendja e tij është rënduar më paraburgim dhe se burgu ku ndodhet nuk garanton kushtet për gjendjen e tij shëndetësore.

Ai gjithashtu kërkoi heqjen e sekuestros, sepse nuk ka shpërdorim detyre e për rrjedhoje nuk ka pastrim të produkteve të veprës penale. Ai gjithashtu u shpreh se kantina Skëndërbeu ka vlerë shumë herë më të lartë sesa shuma prej 2.6 milionë euro që SPAK thotë se ka përfituar Koka. Prandaj ai kërkoi lirimin e pasurive, të cilat sipas tij janë përfituar përpara kohës se të bëhej ministër.

Avokati tjetër i Lefter Kokës ka ngritur akuza të forta, teksa u shpreh se klienti i tij nuk ka pasur lidhje me Klodian Zoton. I vetmi që ka pasur lidhje ka qenë ish Ministri Arben Ahmetaj. Ai madje shtoi se Ahmetaj ka pësuar aksident në Maqedoni me Zoton, ka transaksione në një vilë, si edhe disa email-e, ku duket qartë kush është personi që ka komunikuar dhe ka bashkëpunuar me administratorin e Inceneratorit të Elbasanit.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *