Është arrestuar sot nga policia londineze Harry Simpson si i përfshirë në ekzekutimin e biznesmenit Ardian Nikulaj më 19 prill 2023, në Lezhë.
Dyshohet se Simpson ka qënë në rolin e vëzhguesit të Nikulajt, duke informuar personat e tjerë të përfshirë në ngjarje.
Policia e Shtetit:
Punë intensive lokalizuese dhe kërkime të kryera në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, për kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të të gjithë shtetasve të implikuar në vrasjen e shtetasit Ardian Nikulaj, të kryer në Shëngjin, më datë 19 prill 2023.
Lokalizohet dhe kapet në një banesë në Londër, me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë, shtetasi i fundit i shpallur në kërkim si bashkëpunëtor për kryerjen e kësaj vrasjeje.
Si rezultat i bashkëpunimit të pandërprerë të strukturave të Policisë së Shtetit, me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare, me qëllim lokalizimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të të gjithë shtetasve të përfshirë në vrasjen e shtetasit Ardian Nikulaj, si dhe falë shkëmbimit në kohë reale të informacionit ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Manchester, u bë i mundur lokalizimi në një banesë në Londër, kapja dhe arrestimi me qëllim esktradimin, i shtetasit të shpallur në kërkim H. S. alias J. S., 32 vjeç, lindur dhe banues në Mbretërinë e Bashkuar.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë ka caktuar për shtetasin H. S. alias J. S., masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi akuzohet se në bashkëpunim me 5 shtetas të tjerë (në rolet e porositësit, ekzekutorit dhe 3 bashkëpunëtorëve të tjerë), ka qenë i implikuar në vrasjen e shtetasit Ardian Nikulaj, të kryer në Shëngjin, më datë 19 prill 2023.
Interpol Tirana vijon veprimet procedurale, në bashkëpunim me Interpol Manchester, me qëllim ekstradimin e 32-vjeçarit, drejt vendit tonë.