Gjykata Themelore e Ferizajt e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasjen e Marigona Osmanit. Ndërsa, i dyshuari tjetër, Arbër Sejdiu, u dënua me 15 vjet burgim për vrasje të rëndë dhe ndihmë në kryerjen e dhunimit.
Marigona Osmani ishte 18-vjeçare kur u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt.
Sipas aktakuzës, Dardan Krivaqa dyshohet se më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale dhe e kishte abuzuar e maltretuar në forma të ndryshme.
Një ditë më pas, më 22 gusht 2021, Krivaqa dhe Sejdiu akuzohen se kanë privuar nga jeta Marigona Osmanin, në përpjekje për të fshehur veprën penale të dhunimit.
Krivaqa dhe Sejdiu janë akuzuar për një sërë veprash penale, përfshirë atë të dhunimit, ndihmës në kryerjen e dhunimit, si dhe vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.
Aktakuza thotë se Sejdiu, me dashje kishte ndihmuar Krivaqën në kryerjen e veprës penale të dhunimit.
Ai akuzohet se edhe pse ishte në dijeni se Krivaqa po kryente aktin e dhunimit, me dashje kishte marrë veprime në lehtësimin e kryerjes së kësaj vepre penale, si dhe vazhdimisht kishte vëzhguar nëse ndonjë banor është duke lëvizur aty pari.
Që të dy akuzohen, po ashtu, se kanë tentuar të fshehin gjurmët e krimit, duke tentuar të fshehin pamjet e kamerave të sigurisë.
Në seancën e fundit gjyqësore për këtë rast, prokurori Valdet Avdiu kërkoi që Krivaqa dhe Sejdiu të dënohen sipas ligjit.
Gjatë kësaj seance të mbajtur më 1 gusht, prokurori Avdiu tha se “nga të gjitha provat, dëshmitarët e dëgjuar dhe video-incizimet, është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale si në aktakuzë”.
Ndërsa, avokati i familjes së Marigona Osmanit, Gazmend Rexhepi, kërkoi dënim maksimal për të akuzuarit.