Finalizohet operacioni policor i koduar “Fluksi 3”, i treti gjatë kësaj jave, për goditjen e tentativave për të futur para të padeklaruara, në vendit tonë, të cilat dyshohet se rrjedhin nga veprimtari kriminale.
Sekuestrohen 100 460 paund. Arrestohet 30-vjeçari Diafet Palushi që vinte nga Anglia dhe tentonte t’i fuste paratë në Shqipëri, me çantë.
Gjatë kësaj jave, në këtë pkk u sekuestruan 204 230 euro të tjera që tentoheshin të futeshin në vendin tonë, ilegalisht, me 2 autobusë.
Shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit, në bashkëpunim me autoritetet doganore, si rezultat i zbatimit të masave shtesë të ndërmarra gjatë sezonit turistik 2023, për të rritur parametrat e sigurisë, për t’iu ofruar qytetarëve, shërbim cilësor, etik dhe të shpejtë, si dhe për të parandaluar dhe për të goditur krimet kufitare, kanë finalizuar një tjetër operacion për goditjen e tentativave për të futur para në vendit tonë, pa i deklaruar.
Si rezultat i operacionit policor të koduar “Fluksi 3”, u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi D. P., 30 vjeç, banues në Sukth, Durrës, i cili vinte nga Anglia dhe kishte fshehur në çantën e dorës, 100 460 paund, me qëllim futjen e tyre në Shqipëri, pa i deklaruar sipas ligjeve në fuqi.
Shuma e parave u sekuestrua në cilësinë e provës materiale dhe vijojnë hetimet për dokumentimin ligjor të burimit të saj.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtari kriminale”.