Gjykata Penale e Tiranës lë në burg mashtruesin Indrit Aliu, 39-vjeçarin e arrestuar pas denoncimit të një biznesmeni se e kishte mashtruar. Para gjyqtares nuk ka pranuar të jap shpjegime, ndërkohë avokatja ka mohuar akuzën e mashtrimit të ngritur nga prokuroria.
Nga hetimet, burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se shumat e parave që u kërkonte personave të ndryshëm varionin deri në 35 mijë euro. Zyrtarisht për të ka vetëm një kallëzim, por po hetohen disa raste, kryesisht persona që merren me aktivitet biznesi në miniera dhe në ndërtim.
Për të mashtruar këta persona ai përdorte emra dhe fotografi të personave të ndryshëm që punonin në disa institicione shtetërore, ndërsa përdorte edhe karta të dyshuara të falsifikuara apo të rreme për të bindur biznesmenët se punonte në institucione qeveritare.