Deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi në një deklaratë për mediat foli për çështjen ‘Beleri’ dhe protestën e zhvilluar të hënën në Himarë për lirimin e tij.
Bylykbashi u shpreh se Fredi Beleri ka të gjithë të drejtën që të bëjë betimin e tij si kryebashkiak i Himarës, teksa shtoi se zgjedhja e tij nga himarjotët i prishi planet kryeministrit Edi Rama. Sakaq ai argumentoi se është parim themelor i OSBE-së që një i zgjedhur duhet të fillojë ushtrimin e detyrës pa asnjë vonesë.
Deklarata e plotë e Oerd Bylykbashi:
Edi Rama kërkon që shqiptarët t’i binden ligjit të tij dhe jo ligjeve te shtetit. Ky është koncept brezhnjevian, që Karta e Helsinkit e theu që në vitin 1975. Edi Rama duhet t’i bindet dhe te respektojnë të drejtave që garantohen nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe Konventa Europiane e te Drejtave te Njeriut për qytetarët shqiptarë.
Fredi Beleri është kandidati i koalicionit të madh opozitar ‘Bashkë Fitojmë’ që më 14 maj 2023 u zgjodh me votën e zgjedhësve si kryetar i bashkisë së Himarës, një prej 61 bashkive të Shqipërisë.
Fredi Beleri kandidoi, u votua e u zgjodh sipas te drejtave që Kushtetuta e Shqipërisë u njeh dhe garanton në mënyrë të barabartë të gjithë shtetasve të Shqipërisë pa asnjë dallim politik, racor, etnik apo diskriminim të ndonjë lloji tjetër.
Është parim themelor i OSBE-së që një i zgjedhur duhet të fillojë ushtrimin e detyrës pa asnjë vonesë.
Fredi Beleri e ka marrë mandatin nga KQZ. Asnjë ligj në Shqipëri nuk pengon betimin e Fredi Belerit si kryebashkiak i zgjedhur i Himarës edhe duke qenë i pandehur në paraburgim. Me Kushtetutë, ai është i pafajshëm dhe gëzon të gjitha të drejtat kushtetuese dhe ligjore. Betimin e tij e pengon pa ligj apo më mirë të themi me ligjin e mafies, vetë kryeministri Edi Rama.
Sot Fredi Beleri është i burgosur politik dhe mbahet në paraburgim në kundërshtim me kriteret e ligjit për arrestimin si masë sigurie penale.
Ai u arrestua vetëm dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit, pas një aktiviteti fushate. Fredi Beleri u arrestua vetëm dy ditë pasi Kryeministri Edi Rama, duke premtuar që do të merrej personalisht me të, de facto urdhëroi në një emision televiziv arrestimin e tij.
Policia e politizuar e shtetit që qeveris Edi Rama dhe Partia Socialiste, sajoi me nxitim arrestimin në flagrancë për shit-blerje vote, por asnjë provë nuk u gjet gjatë arrestimit. U sajua nga policia një dëshmitar që pretendon se ka marrë para për votën por ai nuk arrestohet si shitës vote sepse procesi është i montuar. Edi Ramës i duhet në burg vetëm Fredi Beleri, kandidati i PBDNJ në kuadër të koalicionit opozitar Bashkë Fitojmë i udhëhequr nga Partia Demokratike.
Në një regjim hibrid si ky i Edi Ramës, nuk ka rëndësi vendimi përfundimtar i një gjykate të pavarur. Regjimit i duhet arrestimi. Ai bën lajm më shpejt se një vendim fajësie apo pafajësie dhe i heq qafe Ramës një kundërshtar para zgjedhjeve.
Koncepti komunist që shtetasit më parë arrestohen e më pas sajohen provat në dosje, nuk është thjesht një njollë e zezë e të shkuarës, por një rrezik aktual që i kanoset lirive dhe të drejtave të çdo shtetasi pa asnjë dallim politik, racor apo etnik.
Veprimet e Drejtësisë sërish kanë konfirmuar katërçipërisht kapjen e saj politike nga Edi Rama nëpërmjet të ashtuquajturës Reformë në Drejtësi.
Arritja më e madhe nuk është reforma në drejtësi por të drejtat e shtetasve shqiptarë në Kushtetutë që Drejtësia ka për detyrë të mbrojë.
Shteti i Edi Ramës ka në dorë Kodin Penal, por Fredi Beleri, si çdo shtetas shqiptar, ka në dorë Kushtetutën e Shqipërisë, Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe Kodin e Procedurës Penale.
Gjykata, e cila ka për detyrë të mbrojë të drejtat e konsakruara në këto akte themelore, ka dështuar sepse është nën presionin e Kryeministrit dhe nën kontrollin e tij.
Rasti Beleri është shembulli i fundit që po i tregon Europës dhe botës se kollonat e rrezuara të shtetit të së drejtës kanë zënë përfund të drejtat e njeriut në Shqipëri, përfshirë të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur lirisht.
Edi Rama, mendoi se duke arrestuar Belerin, me një gur vriste dy zogj: hiqte qafe një kundërshtar që do ta pengonte në planet për grabitjen e pronave të shtetasve shqiptarë në bregdet dhe njëkohësisht godiste opozitën sikur ajo blen vota.
Planet e Edi Ramës dhe klientelës së tij për të grabitur për vete pronat e shtetasve shqiptarë dhe veçanërisht ato në bregdetin e jugut janë të qarta.
Fillimisht bllokoi me ligj kthimin e pronave dhe bllokoi regjistrimin e tyre në regjistrat e pasurive të paluajtshme. Me pas miratoi me ligj shpronësimin e pronave me para publike për gjoja interes publik ne favor të privatëve, miratoi ligjin e investimeve strategjike me të cilin i jep ato prona me kontrata tek investitorët e tij strategjikë. Në fund i siguroi këto kontrata duke kapur Drejtësinë.
Zgjedhja e Fredi Belerit ia prish këto plane Edi Ramës, ndaj ai duhet hequr me çdo kusht. Nuk duhet lejuar të bëjë betimin si kryetar bashkie duke e mbajtur në burg. Duke e mbajtur përdhunshëm në paraburgim, do të pretendojnë se meqë ka më shumë se tre muaj në burg në Tiranë, nuk është më banor i Himarës e për rrjedhojë humbet të drejtën të jetë kryebashkiak i Himarës. Në fund duhet dënuar për të qenë Edi Rama plotësisht i sigurt.
Rasti Beleri në fakt është bumerangu që u kthye pas dhe theu copë, copë dy vitrina të Edi Ramës: së pari theu vitrinën e ofensivës së sharmit me darka e ftesa për vizita e pushime të zyrtarëve europianë për t’u treguar shtetin modern me drejtësi të reformuar që ai paska ndërtuar pas së cilës fshihet dhunimi i të drejtave.
Së dyti theu atë të patriotizmit folklorik dhe nacionalizmit sharlatan pas të cilës fsheh dhunimin 360 gradë të interesit kombëtar.
Kushdo në Europë sot mund të shohë qartë çfarë realiteti dhunimi të drejtash fshihet pas këtyre vitrinave të thyera.
Sot çështja Beleri, ka çuar në tryezën e BE dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë realitetin e sistemit kriminal dhe korruptiv me të cilin Edi Rama grabit zgjedhjet me qëllim që të grabisë shqiptarët e t’u dhunojë të drejtat.
Sot kryeministrat dhe zyrtarët europianë e më gjerë e kanë të qartë që kur e takojnë Edi Ramën, përtej dorezës plot ngjyra, po shtrëngojnë dorën e dikujt që për të mbajtur pushtetin, nuk hezitoi ta çojë lobimin korruptiv përtej oqeanit e të korruptojë një nga zyrtarët më të lartë të FBI.
Zgjedhësit e votuan Fredi Belerin, kandidatin e koalicionit opozitar Bashkë Fitojmë edhe pse Edi Rama e kishte burgosur para se ata të hidhnin votën më 14 maj 2023. Ky verdikt i zgjedhësve qëndron mbi çdo vendim të Drejtësisë politike të Edi Ramës.
Në emër të Partisë Demokratike deklaroj se lirimi i menjëhershëm nga burgimi politik i Fedi Belerit dhe kthimi i tij në detyrën për të cilën është zgjedhur është kërkesë e panegociueshme e Partisë Demokratike dhe Opozitës dhe vetëm një hap në rikthimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme në Shqipëri.