Gjendja e ndotjes në Durrës është alarmante! Situata me mbeturinat vijon të mbetet e pazgjidhur. Prej ditësh, plehrat po dekompozohen mbi trotuare dhe brenda kazanëve nën temperatura pe nxehta duke u kthyer në rrezik për shëndetin e banorëve dhe përhapjen e sëmundjeve infektive. Qyteti bregdetar i cili ka hapur dyert për pushuesit dhe turistët e huaj, fatkeqësisht prezantohet me një kolaps mjedisor, pasi ka kaluar më shumë se 1 javë pa u pastruar mbeturinat urbane, të cilat janë përhapur kudo në të gjithë qytetin dhe kazanët janë të tejmbushur. Gjendja është e padurueshme dhe se kalimi në rrugë është thuajse i pamundur për shkak të erës së keqe.
Pas situatës kaotike në Durrës, ka reaguar për herë të parë kryetarja e kësaj bashkie, Emirjana Sako. Gjatë mbledhjes me Këshillin Bashkiak të Durrësit, ajo është shprehur se shumë shpejt do të gjendet një zgjidhje. Sako ka deklaruar se do të përdoret çdo mjet teknik dhe ligjor për evadimin e mbeturinave që rrezikojnë turizmin. “Do të kemi një trajtim për zgjidhjen e problemit të mbeturinave në Durrës. Do të gjejmë zgjidhje me landfille të miratuara, për të lehtësuar situatën. Do përdoret çdo mjet teknik dhe ligjor për evadimin e mbeturinave që rrezikojnë turizmin”, ka thënë Sako gjatë mbledhjes.
Ndërkaq në konferëncën për mediat të mbajtur ditën e sotme në lidhje me këtë çëshjte është shprehur edhe Ministri Bledi Çuçi duke thënë se “Në lidhje me çështjen e depozitimit të mbeturinave, është një problem që në fakt ka ekzistuar dhe më përpara dhe agravohet vazhdimisht, sidomos për zonën e Durrësit, deri sa të bëhet një landfill model dhe aty. Do të marr një zgjidhje të shpejtë këto dy ditë. Është folur se ku do të depozitohen. Kjo është përgjegjësi përtej ministrit të Brendshëm është një përgjegjësi kontraktuale e pushtetit vendor me kompaninë që ofron shërbimet në raste të tilla. Kjo është përtej përgjegjësisë sime. Si ministër i Brendshëm kam lehtësuar qarkullimin e mjeteve të rënda.’- tha Çuçi.
Katastrofa mjedisore vjen si pasojë e një mos marrëveshje mes Bashkisë dhe Qeverisë. Këshilli kërkoi nënshkrimin e një kontrate të gjatë me afat 10 vjeçar me kompaninë koncesionare “Integrated Energy”, dhe kërkoi subvencion nga qeveria për përpunimin e tyre. Por skadimi i kontratës me inceneratorin e Sharrës ka sjellë këtë situatë. Janë rreth 12 kamionë me rreth 10 ton mbeturina që nuk kanë se ku të zbrazen. Është në dorën e qeverisë që të japë “ok” për trajtimin e mbetjeve, çka do të sillte edhe zgjidhjen e situatës me plehrat në Durrës.
/Priza.al/