Artan Fuga letër të hapur Presidentit: “Pranuat që ligji për ASH ishte me shkelje procedurale”

Akademiku Artan Fuga i ka drejtuar një letër të hapur Presidentit të Republikës Bajram Begaj, ku shprehet se ka mbetur i habitur nga intervista e fundit e kreut të shtetit në të cilën diskutohej kanabisi, detyrimi për studentët e mjekësisë dhe ndryshimet ligjore lidhur me mënyrën e zgjedhjeve në Akademinë e Shkencave.

Ai shkroi se gjatë intervistës Begaj ka pranuar se ligji i votuar nga Kuvendi që ndryshoi mënyrën e zgjedhjes të organeve drejtuese të Akademisë ishte me “shkelje proceduriale”.

Sipas tij pasi ligji u la të kalojë, Begaj praktikisht e hodhi atë poshtë me intervistën e dhënë, duke e konsideruar atë të paligjshëm pasi toleroi hyrjen e tij në fuqi.

Letra e plotë:

Shqipëria ka nevojë të përballemi me të paligjshmen, jo ta lemë të kalojë,
zoti President !
————————-
Letër e hapur drejtuar Presidentit të Republikës, zotit Bajram Begaj.
I nderuar z. President,
Ju ndoqa me shumë shpresë në intervistën që dhatë për Zërin e Amerikës gjatë pjesëmarrjes Tuaj në punimet e sesionit të fundit të OKB. U përqendrova me vëmendje të veçantë sidomos te përgjigjet që dhatë lidhur me tre ligjet: për kanabisin, detyrimet shtrënguese për studentët e mjekësisë, si edhe për ndryshimet ligjore lidhur me mënyrën e zgjedhjeve në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë!
Më lejoni t’Ju them se i interesuar si çdo qytetar që kërkon të funksionojë shteti ligjor, si çdo shqiptar që ka nevojë të respektohet roli dhe detyrat e Presidentit të Republikës dhe përpiqet për këtë sepse ka të bëjë me fatet e kombit dhe të ardhmen e shoqërisë, pohoj se mbeta shumë i habitur nga përmbajtja e asaj interviste.
Nëpërmjet kësaj letre publike dëshëroj t’Ju shpreh arësyet e mia lidhur sa më sipër si qytetar, por edhe si dikush që në fushën e kushtetueshmërisë, sistemeve politike, demokracisë, etj., ka edhe disa njohuri, sigurisht jo shteruese, shtesë. E përsëris, sikurse e kam shprehur edhe në një letër publike të mëparshme që Ju kam drejtuar, (për të cilën nuk pata qoftë edhe një konfirmim të thjeshtë marrjeje nga ana e administratës së presidencës), se këtu nuk është më çështja e zgjedhjeve në Akademinë e Shkencave, një problem krejt minor ky, por e mënyrës si funksionon sistemi i qeverisjes dhe vetë ndarja e pushteteve pa të cilën Shqipëria vidhiset, zoti President.
Në intervistën Tuaj dhënë gazetares së Zërit të Amerikës përsa i përket ligjit që ndryshoi mënyrën e zgjedhjes të organeve drejtuese të Akademisë së Shkencave Ju pranuat hapur dhe botërisht se ligja e votuar nga Kuvendi i Shqipërisë, e ardhur te Ju për ta shpallur ose për t’u kthyer mbrapsht, sipas detyrimit që Ju jep Kushtetuta, ishte me “shkelje proceduriale”.
Pranimi i këtij fakti, zyrtarisht nga Ju, shprehur publikisht në një media botërore prestigjioze si Zëri i Amerikës, me fjalë të dala nga Ju vetë dhe jo nga ndonjë shërbim i presidencës, ka dy aspekte jashtëzakonisht të rëndësishëm.
I pari tregon se ju me sinqeritet pranoni se te Ju ka ardhur për t’u firmosur një ligj i bërë me shkelje proceduriale.
Me këtë Ju i dhatë një grusht praktikave të ndonjë deputeti që duke riprodhuar mendësi stalinisto-puniste, sipas përcaktimit të zonjave deputeteve që Ju shkruajtën me shumë shqetësim edhe Juve, udhëhoqi një “puç institucional”.
Sipas meje, anëtar i Akademisë së Shkencave që kundërshtoj këto ndryshime ligjore si shoqërisht të dëmshme, shkeljet e Rregullores së Kuvendit, të Kodit etik të deputetit, përveç edhe të Kushtetutës, ishin në fakt jo një e dy, por disa, njëra më e rëndë se tjetra. Me pranimin publik të këtyre “shkeljeve” që i Ju po i quani “proceduriale” praktikisht u dhatë të drejtë deputeteve, zonjave Flutura Açka dhe Ina Zhupa, të cilat Ju kërkuan me shkrim të mos e kalonit atë ligj. Jo vetëm këtyre zonjave, por edhe relatoreve që nuk pranuan të bëjnë relacione për atë projektligj të kaluar jashtë çdo procedure të ligjshme, si edhe të gjithë deputetëve që votuan kundër këtij ligji.
Më lejoni t’Ju them se zonjat deputete në fjalë nuk bën “ankesë” te Ju sikurse u shprehët në intervistën Tuaj. Nuk njihet askund që deputetët të bëjnë “ankesë” te Presidenti i Republikës. Ato mbi bazën e të drejtave të tyre kushtetuese si deputete Ju bënë kërkesën për të mos e aprovuar ligjin në fjalë duke parashtruar të gjithë argumentet që tani, pas hyrjes në fuqi të ligjit, edhe Ju i konsideroni se kishin bazë të vërtetë, pra ishin krejt të drejta.
Pranimi nga ana Juaj i faktit se ligji në fjalë kishte ardhur te Ju duke nëpërkëmbur procedurat, ka edhe një aspekt të dytë, kësaj radhe të hidhur dhe shqetësues.
Pasi ai ligj u la te kaloje, ju praktikisht e hodhet poshte ate ne intervisten Tuaj, duke e konsideruar te paligjshem pasi e toleruat te hynte ne fuqi !
Ju nuk e patë të arsyeshme megjithatë që një ligj të kuptuar dhe konsideruar nga Ju si të parregullt procedurialisht ta kthenit për rishqyrtim në Kuvend. Kjo përbën një habi të madhe, një trishtim të madh për mua si qytetar. Duke mos vepruar, pra as duke e shpallur dhe as duke e kthyer mbrapsht këtë ligj, për më tepër duke heshtur, pa e shpjeguar qendrimin Tuaj, sikurse bëni tani nëpërmjet Zërit të Amerikës, Ju i dhatë mundësi së paligjshmes të bëhet ligj!!!
Unë mendoj se këtu çështja bëhet serioze sidomos kur mendoni, sikur u shprehët te Zëri i Amerikës, se konstatuat vetëm shkelje proceduriale, por që “nuk ishin shkelje kushtetuese”!!!
Më lejoni t’Ju a kundërshtoj këtë argument që i vjen në ndihmë mosveprimit Tuaj. Unë sikurse edhe Ju e njoh Kushtetutën e vendit tim. Sigurisht Presidenti i Republikës duhet ta ruajë të pastër Kushtetutën e shtetit që ai i shërben. Patjetër. Por, poqese shihni ligjet e Kushtetutës lidhur me rolin dhe kompetencat Tuaja përballë ligjeve që nxjerr Kuvendi, kompetencat, detyrat, përgjegjësitë Tuaja janë shumë herë më të mëdha dhe të rëndësishme sesa shqyrtimi i kushtetueshmërisë të ligjeve të dala. Kushtetuta në fuqi e kupton dhe e ligjëson rolin e Presidentit jo thjesht si një autoritet i konsideruar si një jurist që shqyrton vetëm nëse një ligj është apo jo në shkelje me Kushtetutën. Pa e mohuar këtë detyrë Tuajën, duhet të pranojmë se me këtë funksion, Kushtetuta vendos në mënyrë parësore Gjykatën Kushtetuese.
Askund në Kushtetutë nuk shkruhet dhe nuk mund të shkruhet se Ju si President shqyrtoni vetëm përputhshmërinë e një ligji me Kushtetutën dhe nuk keni asnjë punë me shkeljet e tjera proceduriale apo përmbajtësore të një ligji!
Sigurisht kur është fjala për shkelje kushtetuese çështja bëhet edhe më shumë serioze. Por, nuk mund të jem dakord me Ju kur shpreheni se shkeljet proceduriale që nuk janë drejtpërdrejt edhe shkelje kushtetuese nuk përbëjnë objekt të veprimit Tuaj kur kaloni nëpër duar një ligj. Duke lexuar letrat e zonjave deputeteve, kam konstatuar se në asnjë vend atje nuk pashë që ato konfondojnë shkeljet proceduriale me shkeljet kushtetuese. Ato gjithsesi Ju vendosin njëherësh në dijeni edhe për shkelje proceduriale të rënda të kryera nga deputetë të veçantë, edhe për atë që projektligji në fjalë, në përmbajtjen e tij, shkel me të dy këmbët, Kushtetutën e vendit.
Më duket e pamundur që Presidenti i Republikës të lejojë të kalojnë përpara syve të Tij shkelje proceduriale, të konstatuara prej Tij, duke mos vepruar kundër tyre. Unë do të doja që si kryetar i shtetit, sikurse Ju përcakton Kushtetuta në fuqi, si çdo kryetar tjetër shteti, të mos pranonit të kalonin me tolerimin Tuaj edhe ligje dhe norma juridike të paligjshme.
Çdo jurist e di mirë se procedurat janë jo vetëm kushte të domosdoshme që legjitimojnë ose jo daljen e një ligji, por edhe se vetë procedurat formësojnë një korpus ligjor më vete. Edhe një vendim gjyqësor i thjeshtë, në shkelje të procedurave, Ju e dini mirë, bëhet nul.
Cilido autor apo njeri sadopak i iniciuar në filozofisë të së drejtës e di që e drejta në një shoqëri të ligjit dallohet nga rregullat e një turme, nga zakonet e një bande, nga kanunet e pandryshueshme morale, etj., kryesisht nga fakti se e drejta parashikon edhe rregullat e ndryshimit të ligjeve në fuqi. Pra procedurat. Pa respektuar ato shteti bëhet turmë, bandë, klan. Prandaj, thuhet se “shkeljet proceduriale” janë kaq të rrezikshme në dëmet që sjellin.
Unë kurrë nuk kam imagjinuar që shkelje ligjore, sikurse janë ato proceduriale, të mund t’i shpëtojnë filtrit të Presidentit të Republikës, duke u vënë re prej Tij, dhe megjithatë të lejohen të kthehen në ligje. Kjo e kapërcen imagjinatën. Ju a them drejt, është diçka që edhe më frikëson sepse shtetin dua ta konsideroj, sikurse kryetarin e Tij, me besim se nuk lejon që e paligjshmja të kthehet në ligj.
Unë do të doja që institucioni i Presidencës të pyeste: Po përse janë bërë këto shkelje proceduriale lidhur me aprovimin e këtij ligji ? A kanë pasur ato një arësye? Çfarë i ka detyruar deputetët që të aprovojnë një ligj me shkelje proceduriale? Kush ka qenë i interesuar për ato shkelje dhe për ta kaluar dhunshëm ligjin në Kuvend? Unë nuk do të pretendoja që ndihmësit Tuaj të më drejtoheshin mua me këto pyetje sikurse ndoshta i detyronte “ankesa” ime te Ju. Unë nuk di madje as nëse Ju a kanë dorëzuar letrën time! Por, çfarë rëndësie ka kjo? Unë e kuptoj se Ju nuk keni kohë të takoni miliona shqiptarë që ndoshta janë të zotë të ngrenë shqetësime edhe më të mprehta se unë. Larg nga ky pretendim. Por do të doja të besoj se pyetjet e mësipërme i keni ngritur dhe keni pasur përgjigje për to! Si është e mundur pra që deputetët që vetë i kanë konsideruar procedurat e procesit ligjvënës si ligje nuk ia kanë zbatuar ato? Pse?
Unë jam i bindur zoti President se filozofia e ligjit në një shoqëri të së drejtës e konsideron të paligjshëm çdo ligj që aprovohet duke shkelur procedurat ligjbërëse në fuqi. Prandaj, jam shprehur se duke mos vepruar, fatkeqësisht, Ju i keni hapur rrugë së paligjshmes; e paligjshmja u be ligj. A nuk është kjo nëpërkëmbje e një parimi kushtues të dorës së parë, jo thjesht i një neni, por i një parimi thelbësor kushtetues? Cili gjyqtar kushtetues do të pranonte se hyrja ne fuqi si i ligjshëm i një ligj të paligjshëm procedurialisht është në përputhje me Kushtetutën?
Unë e kuptoj zoti President që ju, sikurse shpreheni me të drejtë, nuk mund të ndërhyni vend e pa vend në politikat e qeverisë që mishërohen në ligje të ndryshme. Por, ky ligj që po trajtojmë nuk vinte aspak nga qeveria, por thjesht nga dy deputetë iniciatorë që nuk kishin arritur madje as të argumentonin në relacionin e tyre bashkëngjitur se përse duhej projektligji që ata propozonin!
E paligjshmja u bë e ligjshme. Si e tillë ajo ka prekur edhe të drejta individuale njerëzish që jetën dhe karrierën tyre e kanë ndërtuar mbi respektimin e ligjeve dhe jo duke i bërë ligjet llastik për t’i përshtatur ato ndaj interesave të tyre.
Marr kurajon t‘Jua them këtë zoti President, se si edukator, mësues, profesor, gjatë gjithë pervojen profesionale jam munduar që nxënësit dhe studentët t’i edukoj jo vetëm të jenë qytetarë të mirë, por edhe të bëhen barriera ndaj cdo gjëje të paligjshme. Të jenë qytetarë aktivë. Jo vetëm për t’u mos u implikuar vetë qoftë edhe tërthorazi në shkelje ligjore, por të jenë aktivë edhe kundër se paligjshmes kudo ku ata e venë re atë.
Supozoj që Kuvendi i Shqipërisë një ditë t’i dërgonte Presidentit të vendit tim një ligj ku do te ndalohej qarkullimin e veturave, te ndalohej përdorimin e ashensorëve në banesat me shumë kate, te ndalohej shitja e disa llojeve frutash në treg, etj. Asgjë jokushtetuese!!! A do të mundej që Presidenti i Republikës t’i kalonte pa vepruar këto ligje, me preteksin se ato nuk shkelin kushtetutën? Kuptohet që jo!
Unë vazhdoj të mendoj zoti President se qendrimi Juaj ka qenë mosveprues, duke pasur si pasojë hyrjen në fuqi të një ligji te konceptuar dhe aprovuar në mënyrë të paligjshme, fiks ashtu sikurse Ju e pohoni. Mosveprimi ka qenë veprim.
Do të kishte qenë bukur që Ju ta kishit shpjeguar para shqiptarëve qendrimin Tuaj. Ndofta edhe duke u konsultuar publikisht me juristë të pavarur. A mund të jetë i ligjshëm një ligj i bërë duke shkelur procedurat ligjore në fuqi? Jam i bindur se nuk ka nevojë të jesh konsitucionalist i specializuar për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje që Ju do të duhej ta kishit shtruar. Unë mendoj se shoqëria shqiptare ka nevojë t’Ju dëgjojë t’i shpjegoni qendrimet dhe veprimet Tuaja si kryetar shteti. Është pak befasuese për mua që të na flisni nga OKB për hallët tona të përditshme të mos-respektimit të ligjeve pasi ligjet e paligjshme Kane hyre ne fuqi.
Më së fundi zoti President, dëshëroj të ndaj me Ju bindjen e bazuar që as Kushtetuta, as filozofia e ligjit, as shkenca e së drejtës kushtetuese, kur Ju ushtroni të drejtat dhe detyrat Tuaja sipas asaj që imponon ligji, pra kur i ktheni mbrapsht për rishikim Kuvendit ndonjë ose disa ligje, Ju hyni në “konflikt” me Kuvendin.
Kushtetuta dhe ligjet e Shqipërisë nuk e njohin fare termin “konflikt” në kuptimin që Ju i jepni atij. Ai nuk është një term juridik, kushtetues, ligjor, por thjesht një fjalë kyçe e përdorur nga politika. Madje ndonjëherë e përdorur për të intimiduar Presidentin e Republikës.
Ju lutem mos e quani kthimin për rishqyrtim Kuvendit të një ligji të aprovuar prej tij me shkelje proceduriale si një “konflikt” të Presidentit me Kuvendin! Nuk kemi nevojë që Presidenti të ndihet inferior ndaj Kuvendit të Shqipërisë, ndaj qeverisë, ndaj shumicës parlamentare, ndaj një ose dy deputetëve, apo ndaj forcave të interesuara për paligjshmëri. Unë shpresoj se ndajmë të njëjtim mendim. Mund të thuhet po aq mirë: Pse Kuvendi hyn në “konflikt” me Presidentin? Pse Kuvendi që e di se ligji do të shkojë për t’u shpallur nga Kryetari i shtetit, pra nga Ju, përsëri, as nuk pyet fare, por aprovon ligje me shkelje proceduriale? Mua më shqetëson kjo sjellje prandaj pyes veten : Mos ndokush në Kuvend ka prirje ta injorojë Presidentitn e republikës?
Të kthesh përsëri në Kuvend një ligj të paligjshëm procedurialisht është t’i bësh nder Kuvendit të Shqipërisë dhe vetë deputetëve, mbi të gjitha qytetarëve, sepse deputetët kanë bërë betim para ligjit për ta respektuar këtë të fundit. Nuk mund të ketë deputetë, jashtë çdo hamendjeje, që te sillen si “cuba”, si “të fortë” në komisione apo në korridoret e Kuvendit, apo ndaj qytetarëve që publikisht shprehen kundër projektligjeve që i gjykojnë te dëmshëm. Deputetët e dinë mirë, e kanë marrë përsipër t’i respektojnë normat proceduriale. Ky që Ju e quani “konflikt”, zoti President, në këndvështrimin tim modest, por të mbështetur te autorët më të mirë në filozofinë e së drejtës, nuk është gjë tjetër veçse ndarje pushtetesh. Për këtë ndarje pushtetesh kemi nevojë. Pa këtë Shqipëria vidhiset. Ndarja e pushteteve nuk është “konflikt” i Presidentit me Kuvendin, është parim kushtetues. Aq më shumë nuk kishte vend për “konflikt” sepse Ju vetëm njëherë keni të drejtë ta ktheni një ligj të aprovuar nga Kuvendi.
Ju keni të drejtë kur shpreheni se deputetët duhet të gjenin rrugën që t’i respektonin rregullat proceduriale që ata kanë aprovuar vetë. Këtë e thotë bashkë me Ju gjithkush që i do të mirën këtij vendi. Por, puna nuk qendron fare aty. Kjo është qartë. Puna është të dihet se çfarë bën Presidenti i Republikës kur deputetët, me kartone shumicash, aprovojnë ligje të paligjshëm? I kthen gjakftohtësisht mbrapsht për rishikim te Kuvendi – do të thosha unë!
Unë dëshëroj ta them drejt dhe sinqerisht zoti President që mosveprimi Juaj, duke lejuar të hyjë në fuqi një ligj i paligjshëm procedurialisht, e bëri të paligjshmen të ligjshme. Është kjo në përputhje me Kushtetutën?
Por, ajo që duket e rëndësishme është se vendi ka nevojë t’i jepen mesazhe papajtueshmërie me të paligjshmen. Sepse përndryshe çfarë do t’i kërkonim një inspektori kur ai sheh veprime korruptive në terren dhe mbyll sytë; një nëpunësi kur sheh padrejtësi në fushën e tij dhe bën sikur nuk i sheh; një nëpunësi të taksave që mbyll njërin sy në njësitë e shitjeve ku lahen paratë; çfarë do t’i themi një qytetari kur ai të na shohë me habi kur i kërkojmë të ngrejë zërin për paligjshmëritë në procedura legalizimesh, tenderimesh, privatizimesh, etj?
Nuk kemi veçse të mbyllim gojët!
Duke kërkuar falje për shqetësimin që vjen vetëm nga interesi qytetar, me qëllimin e lartë të funksionimit të qeverisjes dhe të shtetit, me vëmendjen për respektimin e ndarjes së pushteteve, duke Ju uruar suksese në plotësimin e detyrave Tuaja,
Me shumë konsiderata,
Artan Fuga

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *