Kreu i grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka mbajtur një deklaratë për mediat jashtë ambienteve të Kuvendit, pas degjenerimit në dhunë të situatës mes deputetëve të PD dhe PS.
Ai u shpreh se mazhoranca ka marrë vendim për të asgjësuar opozitën, ndërsa shtoi se nuk ka ndodhur kurrë përjashtimi i 32 deputetëve të opozitës në mbi 30 vite demokraci.
Ndër të tjera, ai tha se deputetët e opozitës ishin rrethuar nga Garda dhe kjo solli provokimin e situatës dhe nxitjen e tensioneve.
“Deputetët e opozitës sot u rrethuan nga garda e republikës. Ishte mbyllur çdo derë komunikimi për deputetët e opozitës. Sjellja e gardës provokoi situatën, ndërsa ju e dini prej javësh mazhoranca e ka futur Kuvendin në një ngërç duke mos mundësuar vijimin normal të seancës së parlamentit”, tha Bardhi.