Presidenti i Serbisë tha se ka refuzuar nënshkrimin e zotimeve për njohjen de facto të Kosovës, pasi sipas tij, këtë nuk ia lejon Kushtetuta.
Njohja de facto e Kosovës është obligim i Serbisë që rrjedh nga Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit. E ndaj deklaratave të tij, ka reaguar deputetja britanike Alicia Kearns. Ajo po ashtu ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që Kosovës t’i hiqen masat ndëshkuese Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka konfirmuar se e ka refuzuar nënshkrimin e zotimit për njohjen de facto të Kosovës gjatë takimit të zhvilluar të enjten, me shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell, presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, kancelarin gjerman, Olaf Scholz, presidentin francez, Emmanuel Macron dhe kryeministren italiane, Giorgia Meloni.
“Kosova përsëri punon me komunitetin ndërkombëtar, pavarësisht sulmit terrorist të orkestruar nga Beogradi. Vuçiqi prapë refuzon. Hiqjani sanksionet Kosovës tani, Josep Borrell dhe Ursula Von Der Leyen”, ka thënë Kearns.
Kryeministri Kurti pas takimit të së enjtes në Bruksel, tha se ofroi ta nënshkruajë planin evropian për Asociacionin, porse ishte Vuçiqi ai që refuzoi të nënshkruajë zotimet për zbatimin e njohjes de facto. Politologu Albinot Maloku, vlerëson se Kosova nuk duhet të ecë përpara me Asociacionin, derisa Serbia nuk është e gatshme të bëjë një seri veprimesh që e nënkuptojnë njohjen de facto.
“Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë është obligim për Republikën e Kosovës. Këtë fakt ka arritur ta kuptojë edhe Qeveria e Republikës së Kosovës dhe kryeministri i saj e ka pranuar përmes marrëveshjes së fundit bazike të Brukselit dhe të Ohrit, por edhe dokumentit të ri të draft-statutit nga 5-shja euro-amerikane dhe i bie që edhe kjo qeveri do që ta jetësojë, mirëpo paralelisht kësaj edhe kjo qeveri do të ketë ushqimin politik si kundërpeshë e prezantimin e së njëjtës para audiencës në Kosovë që i bie që edhe Serbia duhet të ndërmarrë hapat e vet. Përndryshe Republika e Kosovës, Qeveria aktuale e ka pasur kauzë kundërshtimin e Asociacionit, sot ajo e ka pranuar këtë asociacion që i bie se problemi kryesor qëndron te faktori ndërkombëtar duhet të jetë i balancuar edhe në kërkesa edhe në detyrime”, ka deklaruar Maloku.
Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, tha të enjten se Kosova dhe Serbia nuk arritën ndonjë pajtim, meqë sipas tij, palët vunë parakushte. E Maloku theksoi se BE-ja nuk po tregohet serioze me Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit, meqë nuk po vepron si arbitër për t’i alarmuar shkeljet që po i bën Serbia.