Mbledhja në Sekretariatin e Etikës është shoqëruar me debate të ashpra. Deputetët demokratë janë futur në zyrën e Klotilda Bushkës dhe po kërkojnë të drejtën e tyre për të mos u përjashtuar nga Kuvendi.
Kjo situatë e sotme ka ndodhur pas tensioneve të djeshme në sallën e Kuvendit. Kryedemokrati Sali Berisha ka deklaruar se në Parlament nuk do të ketë më paqe deri në rikthimin e të drejtave të tyre.
“Pra e shifni si bëhen mbledhjet këtu, thërret deputetët dhe i përjashton pa asnjë lloj baze ligjore. Sekretariati është për ti dëgjuar dhe ajo dëgjon vetëm njërin, largohet. E kam marrë unë thotë vendimin. Se jam unë ajo që marr vendimin pa pyetur as ligj dhe as rregullore. Mediat i kanë larguar, e kanë shndërruar këtu në një shpellë krimi. Ky nuk është më një parlament. Shikoni si merren vendimet. Po mbrohet nga 5 roje. Në vend që të dëgjojë deputetët, të dëgjojë arsyetimin e tyre, siç e kërkon edhe rregulli, e kam marrë vendimin thotë. Ky është turp. Paqe nuk ka më në këtë parlament deri në rikthimin e plotë të të drejtave kushtetuese të deputetëve. Ju konstatoni vetë se si e kanë shndërruar këto parlamentin, si kurrë ndonjëherë në historinë e tij,” tha Berisha.