Pas kallëzimit të Partisë Socialiste për dhunën e ushtruar në Parlament, ku deputeti i Partisë Demokratike Bledion Nallbati qëlloi me grusht deputetin socialist, Vullnet Sinaj SPAK ka përzgjedhur përmes shortit prokurorin Elvin Gokaj.
Mësohet se ky i fundit, ka urdhëruar sekuestrimin e pamjeve filmike dhe kopje të akt ekspertimeve në rast se janë dëmtuar ose jo deputetët. Partia Socialiste ka kallëzuar penalisht deputetin demokrat Bledion Nallbati i cili në seancën e shkuar plenare goditi me grusht deputetin e partisë socialiste Vullnet Sina.
Padia penale është firmosur nga kreu i grupit socialist Bledi Çuçi i cili kërkon që ndaj Nallbatit të nisë hetimi për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”. Përmes një postimi në rrjetet sociale Çuçi ka bërë të qartë qëndrimin e mazhorancës se nuk do të tolerojnë asnjë akt dhune në parlament.
Nga ana tjetër edhe Rithemelimi ka paditur deputetin socialist Vullnet Sina. Ky i fundit gjithashtu akuzohet për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.
Sipas nenit 237 të kodit penal, goditjet për shkak të detyrës dënohen me gjobë ose me burgim deri në 3 vjet.