Kryebashkiaku i Kamzës Rakip Sulit, nuk u paraqit sot në orën 12:00 në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kur ishte caktuar seanca ndaj tij. Për pasojë, seanca nuk u zhvillua dhe SPAK vendosi t’i dërgojë edhe një ftesë tjetër Sulit, ku i kërkon të paraqitet në 6 nëntor.
Por, i pyetur nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, përmes një telefonate, Suli tha se në ftesën e SPAK, ishte vendosur një orar tjetër.
“Nuk e shmanga kërkesën e SPAK-ut. Por ftesa më erdhi në 12.30, ndërkohë që më kërkonin për në 12”.
Në komunikimin me gazetaren, Suli u shpreh se do të paraqitet në SPAK, “sapo t’i vijë seanca tjetër”.
Për të shmangur vonesat, SPAK nuk e njoftoi kryebashkiakun e Kamzës nëpërmjet postës, por me polici. Gazetarja Hoxha raporton se nuk dihet se përse Policia e Kamzës e dorëzoi me vonesë kërkesën e SPAK.