Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka folur sot për mediat lidhur me procesin e zgjedhor të zgjedhjeve vendore të 14 majit. Kryekomisioneri tha se partitë politike dhe Kuvendi duhet të vendosin tani në lidhje me votën e diasporës.
Ai tha se nëse urdhëri i Gjykatës Kushtetuese nuk do të përmbushet, për zgjedhjet 2025 votuesit e diasporës nuk do të mund të votojnë atje ku kanë vendbanimin.
“Kuvendi dhe Partitë politike duhet të vendosin tani në lidhje me votën e diasporës. Jemi në dijeni të faktit të Gjykata Kushtetuese ka prodhuar një realitet të tillë që udhëzon Kuvendin në lidhje me këtë çështje. Nëse ky urdhërim i Gjykatës Kushtetuese nuk do të përmbushet, nuk hezitoj ta them që për zgjedhjet 2025 votuesit e diasporës nuk do të mund të votojnë atje ku kanë vendbanimin.”- tha Celibashi.
Gjykata Kushtetuese urdhëroi politikën që të garantojë ndryshimet ligjore në mënyrë që të bëhet i mundur votimi i emigrantëve. Gjykata Kushtetuese pranoi pjesërisht kërkesën e Shoqatës ‘Diaspora për Shqipërinë e Lirë’. Kjo shoqatë çoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, duke pretenduar për cenim të së drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve.