Të shumtë janë ata që zgjedhin të lënë veten në krahët e Morfeut, në shoqërinë e pak drite. Zhytja në errësirë totale për disa duket mjaft e frikshme dhe përfundon duke i stresuar më shumë sesa i relakson, të paktën mendërisht. Sipas psikologes klinike Dr. Shelby Harris, e specializuar në terapinë konjitive të sjelljes për pagjumësinë, ka shumë arsye për këtë zgjedhje: Nga trajtimi i ankthit të shkaktuar nga errësira dhe shqetësimet e sigurisë deri te kënaqja e preferencave personale ose të partnerit.
Sido që të jetë, gjumi me dritën ndezur është pjesë e rutinës së mbrëmjes së shumë njerëzve. Sipas ekspertit, “një dhomë e errët është më e mirë, si për cilësinë e gjumit ashtu edhe për shëndetin tuaj në përgjithësi”, thotë Shelby Harris, drejtore e Shëndetit të Gjumit në Sleepopolis. “Ekspozimi ndaj dritës, veçanërisht gjatë natës, mund të prishë ciklin e gjumit, duke ju penguar të bini në gjumë. Prandaj, është një zakon që ndikon në cilësinë dhe kohëzgjatjen e gjumit tuaj.”
Cilat janë pasojat e mundshme të gjumit me dritën ndezur
1. Nuk të lejon të biesh në gjumë
Drita i dërgon trurit sinjalin se është koha për t’u zgjuar. Errësira, në vend të kësaj, e lejon atë të relaksohet, duke e përgatitur që është koha për të fjetur, vëren Instituti Kombëtar për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë (NIOSH). Kjo për shkak se drita shtyp sekretimin e melatoninës, një hormon që truri e pompon në kushte të errëta dhe ndihmon në relaksimin e trupit dhe nxitjen e gjumit. Nga ana tjetër, drita stimulon trurin, gjë që bie ndesh me funksionin natyral të trupit gjatë orëve të mbrëmjes dhe ndikon negativisht në orën e brendshme të trupit, e cila rregullon ciklin gjumë-zgjim.
2. Çrregullon ciklin e gjumit
Një dritë e ndezur mund të prishë fazat e gjumit, të cilat kontribuojnë në pushimin efektiv të trupit dhe një zgjim energjik. Hulumtimet e publikuara në Sleep Medicine zbuluan se gjumi me dritë rriti gjatësinë e fazës së parë të gjumit, i lidhur me gjumin e lehtë dhe uli kohëzgjatjen e gjumit të thellë. Në të njëjtën kohë, drita rriti shanset që dikush të zgjohej gjatë natës.
3. Redukton cilësinë dhe kohëzgjatjen e gjumit
Siç thekson hulumtimi i vitit 2019 i publikuar në Chronobiology International, edhe nivelet e ulëta të dritës ndikojnë në ritmin cirkadian, edhe kur sytë janë të mbyllur. Një tjetër studim i vitit 2016, i botuar në Sleep , arriti në përfundimin se ekspozimi më i madh ndaj dritës gjatë natës lidhej me uljen e kohës së gjumit. Sipas ekspertëve, e gjitha lidhet me prodhimin e reduktuar të melatoninës.
4. Mund t’ju bëjë të ndiheni më të lodhur të nesërmen
Nëse nuk jeni duke fjetur mjaftueshëm ose mirë, atëherë ka shumë mundësi që të zgjoheni të lodhur. “Fjetja me drita ndezur mund të ndikojë në përqendrimin, disponimin dhe shëndetin e përgjithshëm”, thotë Dr. Harris.
5. Rrit rrezikun e sëmundjeve kronike
Mungesa e gjumit ka qenë e lidhur me zhvillimin e diabetit, sëmundjeve kardiovaskulare, obezitetit dhe depresionit, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC). Dhe sigurisht që gjumi me dritën ndezur. kontribuon në shfaqjen e këtyre problemeve shëndetësore.