Nisni ditën me kos të freskët me mjaltë dhe arra, energji e plotë për shëndetin tuaj.Kosi është një ushqim fantastik që duhet konsumuar çdo ditë. Ai është aleati i organizmit pasi vepron shumë mirë për mjaft funksione shëndetësore.
Athtësia e kosit kombinohet mjaft mirë me arrat dhe mjaltin dhe nëse përdoret në mëngjes sjell një rritje të fortë të aktivitetit energjik të organizmit. Një shembull i këtij kombinimi të freskët, të ëmbël e të shëndetshëm e gjeni në recetën e mëposhtme.
Bëhet fjalë për recetën e ëmbëlsirës me kos, arra dhe mjaltë.
Përbërësit e shëndetshëm
250 gramë kos
2 lugë gjelle me arra të grira hollë ose të plota nëse dëshironi
2 lugë çaji me mjaltë
Lëkura e një limoni të grirë hollë në rende
1 lugë kafeje me ekstrakt vaniljeje nëse dëshironi
Përgatitja e recetës energjike të kosit me mjaltë dhe arra
Këshillohet të përdorni kos të zënë në shtëpi pasi ai është i pasur me probiotikë të cilët luajnë një rol të dorës së parë për shëndetin. Kullojeni kosin duke përdorur një napë të pastër pambuku. Vendoseni napën të kullojë sipër një filxhani ose një pjate dhe futeni në frigorifer. Mbajeni në frigorifer gjatë natës. Gjatë kësaj periudhe, kosi do të trashet sa duhet për ëmbëlsirën dhe do të japë një masë kremoze, mjaft të këndshme për t’u konsumuar.
Më pas, hiqeni kosin e trashë nga napa dhe hidheni në një enë qelqi. Përziejeni me vaniljen dhe shtoni mjaltin, arrat e thërrmuara dhe lëkurët e grira të limonit.